Vasili i përgjigjet Ramës: Nuk do të votojmë buxhet-rrumpallat
LSI-ja i ka kthyer menjëherë përgjigje akuzave të kryetarit të bashkisë, Edi Rama, se Meta po mban peng miratimin e projektbuxhetit të kryeqytetit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, Rama është një hipokrit i pandreqshëm dhe ka vendosur që të zëvendësojë përfundimisht popullin e Tiranës me nëpunësit e tij. Sipas Vasilit, LSI-ja është e vendosur për t‘i sqaruar çdo qytetari të Tiranës, në çdo njësi bashkiake, gjithçka është bërë dhe bëhet, në shpërdorim sistematik dhe të padëgjuar të fondeve të Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se LSI-ja nuk ka ndërmend dhe nuk do të pranojë asnjë lloj kompromisi me buxhet-rrumpallat, të cilët nuk kanë lidhje me interesat e qytetarëve të Tiranës, por me interesa të ngushta e klienteliste. "Ne do t‘i kërkojmë llogari deri në qindarkën e fundit Edi Ramës, se si i ka shpenzuar 1.5 miliardë lekë të reja shpenzime operative, një shumë marramendëse kjo". Vasili u shpreh më pas se "Edi Rama duhet të shpjegojë që me afro 9 milionë euro kredi për shkollat, se pse këto shkolla nuk kanë ngrohje, e mos t‘u shpenzojë kohë të dobishme nëpunësve të tij bashkiakë, të cilët nuk kanë mundësi të gëzojnë as ditën e pushimit, të dielën, sepse duhet të dëgjojnë dëgjesën e radhës së Edi Ramës". Deklaratave të Vasilit i është kundërpërgjigjur nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. "Deklarime si këto të zëdhënësit të Metës dhe Berishës tregojnë edhe një herë më së miri se për Berishën e për Metën, interesat personale janë mbi nevojat e qytetarëve, lufta për pushtetin është mbi shërbimet për qytetin, oborri i partisë është mbi interesat e shoqërisë", u shpreh Shalsi. Sipas tij, Berishën dhe Metën i ka bashkuar verbëria për të parë qytetin, shurdhëria për të dëgjuar qytetarët, si dhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj halleve dhe problemeve të njerëzve.