E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në Bulqizë, minatorët sërish në protestë, ende s'ka marrëveshje

BULQIZE- Bulqizë, minatorët rinisën protestat para zyrave të ACR-së për plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që përfaqësuesit e firmës kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes me minatorët, por pa praninë e presidentit të Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj.

Që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, minatorë janë vendosur para portave kryesore të ACR, ku vihet re një prani e forcave të shumta policore. Minatorët deklarojnë se nëse sot nuk realizohet marrëveshja ata do ti rikthehen grevës së urisë.

Administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili, u ka dërguar dje një letër minatorëve, ku u ka shpjeguar se firma merr përsipër sigurimin e kushteve më të mira në punë, transparencën e investimeve dhe rritjen e pagës me 20 për qind. Ndërkohë, ai nuk merr përsipër të paguajë minatorët për ditët e protestave dhe grevës së urisë. Këto kushte nuk janë pranuar nga minatorët, të cilët kanë shtuar se marrëveshja nuk nënshkruhet pa Kol Nikollajn.

Ndërkohë, kreu i Konfederatës,duke reaguar pas pengimit të tij për t'iu bashkuar minatorëve tha se "Minatorët kërkojnë marrëveshje ligjore dhe institucionale. ACR kërkon përçarjen e minatorëve, nuk pranon të ulet në negociata. Ministri i Punës dhe Inspektoriati i Punës duhet të ndërhyjnë në këtë situatë".
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›