E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria nis hetimin për komisar Rexhepin



Prokuroria pritet të fillojë hetimet ndaj shefit të Komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi. Rexhepi pritet të hetohet për shpërdorim detyre, pas publikimit të filmimeve, ku ai shfaqej në rolin e shoqëruesit eskortë për biznesmenin Damir Fazlliç. Sipas burimeve nga prokuroria, pritet përgjigjja e Ministrisë së Brendshme nëse Urim Rexhepi ka vepruar në bazë të një urdhri apo jo. Sidoqoftë, shefi i komisariatit, me veprimin e tij, mund të përfundojë në bankën e të akuzuarit për shpërdorim detyre, pasi funksioni i tij nuk e përmban shoqërimin e kujtdo biznesmeni. Këto fakte pritet të jenë dhe baza ndaj hetimit të veprimeve të komisarit Rexhepi.

Ngjarja
Dy ditë më parë televizionet transmetuan pamjet filmike në të cilat dukej qartë se shefi i Komisariatit të Policisë së Rinasit, Urim Rexhepi, kishte qenë shoqërues për Damir Fazlliç në momentet e largimit të tij nga Shqipëria. Përveç kësaj, prokurorët, të cilët po merren me këtë çështje, janë ankuar se janë penguar pikërisht nga punonjës të policisë për të ekzekutuar urdhrin e ndalimit për të dyshuarin për trafiqe ndërkombëtare biznesmenin Damir Fazlliç. Pasi kanë dështuar që ta ndalojnë atë, gjatë qëndrimit në Tiranë, prokurorët kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë në Aeroportin e Rinasit, në momentet e largimit të Fazlliçit nga Shqipëria. Prokurorët kanë pretenduar se janë penguar pikërisht nga ana e shefit të Komisariatit të Policisë së Rinasit, Urim Rexhepi, për të ndaluar boshnjakun. Sipas tyre, Rexhepi u ka kërkuar prokurorëve që të japin dokumentet që duhen për ta marrë në pyetje. Kjo kërkesë ka bërë që prokurorët të humbasin kohë deri në përpilimin dhe protokollimin e shkresave, gjë nga e cila ka përfituar Fazlliç, i cili është larguar menjëherë nga Shqipëria me çarterin e tij personal. Kjo ka bërë që Prokuroria e Tiranës të regjistrojë çështjen në ngarkim
të shefit të Komisariatit të Rinasit për bllokim të veprimeve hetimore të vetat. “Janë marrë të gjitha kasetat filmike nga Rinasi. Janë pyetur shumica e dëshmitarëve dhe pritet që nesër të bëhet komunikimi zyrtar”, - u shprehën burime nga Prokuroria.
Policia
Policia e Shtetit, me anë të një deklarate për shtyp, ka mohuar dhe përgënjeshtruar të gjitha akuzat në drejtim të saj, sipas të cilave ka mbrojtur të dyshuarin për trafiqe ndërkombëtare Damir Fazlliç. “Policia e Shtetit nuk ka pasur kërkesë të tillë për të eskortuar këtë qytetar si dhe nuk ka konstatuar elementet që cenojnë jetën e tij e për pasojë marrjen e masave të shoqërimit.
Theksojmë këtu se punonjësit e policisë së aeroportit “Nënë Tereza”, gjatë 24 orëve të shërbimit kanë për detyrë të kontrollojnë e të ofrojnë gjithë ndihmën e kërkuar nga shtetasit shqiptarë apo të huaj që hyjnë e dalin ligjërisht në territorin e vendit. Duke shprehur keqardhje për spekulimet mediatike, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët se nuk do të bjerë pre e presioneve për të na përfshirë në debatin politik të vendit”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Policisë së Shtetit.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›