E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Për dekretet e Topit, të zbatohet Rregullorja e Kuvendit

 

Rregullorja e Kuvendit përcakton procedurën që duhet të ndiqet kur kërkohet pëlqimi i Kuvendit

TIRANË- Krejt ndryshe e shohin aleatët qëndrimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të dekretuar prej kohësh nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka ka deklaruar dje për gazetën se duhet të respektohet Rregullorja e Kuvendit. Duke u pozicionuar në një zë me Presidentin e Republikës, Ndoka, ka kërkuar që mbi të gjitha për dekretet e kreut të shtetit, të respektohet Rregullorja e Kuvendit e cila i ka të përcaktuara qartë hapat që duhet të ndiqen lidhur me dekretet e kreut të shtetit. Kështu, në rast se do të bazohemi në Rregulloren e Kuvendit, në nenin 26, pika 7, thuhet se në programin e punës të Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartura nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme. Pra, sipas nenit në fjalë, dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, edhe pse kanë dy javë që ndodhen në zyrat e Kuvendit, duhet të ishin futur automatikisht në programin e punës. Rregullorja e Kuvendit, në fakt, ka të parashikuar edhe një pike tjetër të saj, ku sqarohet më së miri hapat që duhet të ndjekë Kuvendi në rastet kur Kushtetuta i kërkon organit legjislativ pëlqimin për miratimin e kandidaturave. Kështu, në bazë të nenit 111, pika 6, thuhet se, “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare, brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›