E Diel, 1 Nëntor 2026

Mima: Qeveria ka marrë masa për sektorët që do të preken nga kriza

Zv/ministri i Financave, Florion Mima, tha dje se qeveria ka marrë të gjitha masat për të mbështetur sektorët specifikë që mund të preken nga kriza financiare ndërkombëtare. I pranishëm në Forumin "Politika dhe Biznesi" të organizuar nga seksioni shqip i Deutsche Ëelle se bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, në kuadër të panairit të biznesit gjerman, z. Mima deklaroi se "vendi nuk është në krizë dhe këtë e vërtetojnë të gjithë parametrat makroekonomikë të vendit, por gjithsesi shtoi ai, Shqipëria është pjesë e ekonomisë globale dhe nuk mund të mohojmë prekjen e disa sektorëve specifik nga kriza financiare ndërkombëtare".
Zv/ministri Mima tha se, qeveria ka punuar për identifikimin e sektorëve që mund të preken nga kriza, të cilët janë eksporti i mineraleve, (që ka shënuar një tkurrje muajt e fundit), industria e përpunimit aktiv, (ose industritë që importojnë lëndë të para me qëllim transformimin e tyre në prodhime të gatshme dhe rieksportimin e tyre drejt tregjeve te BE-së) dhe ai i ndërtimit. Sipas tij, për të tre këta sektorë, qeveria ka adresuar masat përkatëse dhe në sektorin e ndërtimit pritet një ndërhyrje e fortë, ku qeveria do të financojë interesin e shtëpive për rreth 6000 të pastrehë. Duke u ndalur në situatën aktuale ekonomike të vendit, Mima tha se ekonomia shqiptare është një ekonomi e re, optimiste, që synon të zhvillohet dhe konsumatorët kanë rritur kërkesën konsumatore dhe ofertën gjithnjë e në rritje të operatorëve ekonomikë. Sipas tij, vitet e fundit formalizimi i ekonomisë dhe biznesit ka ardhur në rritje. Për këtë ai iu referua shifrave ku veçoi se, në vitin 2005 ishin 40 mijë biznese të regjistruara ndërsa sot numri i tyre është rritur në 102 mijë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›