E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakalli mbledh firma nga qytetarët e Shkodrës, kundër centralit bërthamor

Peticioni kundër ngritjes së Centralit Bërthamor në qytetin e Shkodrës është menduar si rruga më e duhur për ti dhënë fund kësaj loje jo të këndshme. Kjo është realizuar nga deputeti i Shkodrës Gilman Bakalli, i cili ka dalë në një nga pikat e qendrës së Shkodrës dhe ka kërkuar nga qytetarët që të hedhin firma kundër ndërtimit të Centrali Bërthamor në qytetin e tyre. Deri më tani janë mbledhur 300 firma nga qytetarët kundër ndërtimit të këtij centrali, të cilin ata e konsiderojnë si tepër të rrezikshëm për jetën e tyre dhe brezave që do të vijnë. Në peticionin drejtuar kryeministrit Berisha për gjatë tre orëve në prani të kamerave dhe gazetarëve, njerëz të ndryshëm kanë hedhur firmat në këtë peticionin të deputetit shkodran. Në prononcimin e tij, deputeti shkodran Bakalli u shpreh se populli shkodran është tashmë i ndërgjegjësuar për rrezikun që mbart një projekt i përmasave të tilla, por ajo që na shqetëson shumë si mua dhe qytetarët e Shkodrës, është mungesa e theksuar e transparencës, sepse kemi një kryeministër i cili thotë dhe përgënjeshtron fjalët e tij për centralet bërthamore dhe furnizimin e botës nga të tillë, të ndërtuar te ne. Ai shpjegoi se tani është provuar shkencërisht që projekte të tilla mbartin rreziqe ekologjike dhe shëndetësore për jetën e njeriut. Bakalli ka arritur të mbledhë mbi një mijë firma të qytetarëve shkodranë  dhe ka kërkuar transparencë maksimale dhe referendum popullor. Në fakt dyshimi që projekti i centralit bërthamor do të flejë tani për fushatë  ka sjellë edhe reagimin e Bakallit dhe ai ka kritikuar ashpër edhe organizatat jo qeveritare, që nuk kanë reaguar asnjëra në Shkodër. Po dëshmohet herë pas here që shoqëritë civile janë shumë pasive në aksionet e tilla dhe veprimtaria e tyre nuk kalon zyrat dhe mbledhjet në salla restorantesh dhe hotelesh, tha deputeti Bakalli, duke shtuar se mendoj se OJQ-të dhe Shoqëria Civile duhet të ishte shembull në një aksion të tillë dhe vërtetësisht përveç një Forumi askush nga shumë organizata në Shkodër, nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Nga të dhënat e sakta, Shkodra është qyteti me numrin më të madh të OJQ-ve për frymë të popullsisë dhe qyteti ka mbi 54 OJQ, të deklaruara dhe me aktivitet duke u bërë kështu Kryeqyteti i OJQ-ve në Shqipëri të cilat pa dyshim që kanë edhe si bazë të aktivitetit të tyre kryesisht takime, mbledhje dhe dreka e kafe pune. Ngritja e centralit bërthamor në qytetin e Shkodrës është një projekt i diskutuar për t'u zbatuar pranë kufirit me Malin e Zi. Pak dite më parë qytetarët janë irrituar rreth lajmeve për ndërtimin e centralit dhe kanë vendosur postera ku bëhej thirrje për ndalimin e zbatimit të projektit. Të bashkohemi për të ndalur kancerin në Shkodër dhe lindjet e deformuara që do shkaktojë centrali bërthamor, thuhej në postera. Por projekti i bashkëpunimit mes Kroacisë dhe Shqipërisë ka shumë gjasa që të mbetet vetëm një dëshirë nëpër shkresa, pasi tranziti i energjisë nëpërmjet Malit te Zi, do të jetë pengesë për ta bërë realitet. Mali i Zi e ka te ndaluar me ligj marrjen pjesë në projekte të tilla. Gjatë një vizite që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë në qytetin e Shkodrës i ka hedhur poshtë zërat për ngritjen e centralit bërthamor. Ato që thuhen për centralin bërthamor në Shkodër janë spekulime dhe shpifje, dhe në to nuk ka asnjë të vërtetë", është shprehur Topalli. Edhe Ministria kroate e Ekonomisë disa ditë më parë ka përgënjeshtruar zërat lidhur me mundësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje shqiptaro-kroate në fund të muajit. Nga ana e qeverisë u deklarua se prej saj nuk ishte bërë asnjë plan për arritjen e një marrëveshjeje të tillë me Shqipërinë në këtë kohë.

Last Updated on Saturday, 25 April 2009 14:00

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›