E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi zgjidhet në krye të PD së Tiranës

Nga Tema

Aldo Bumçi është kryetari i ri i degës së Tiranës. Votimet e konferencës së degës së PD, mbajtur dje, e kanë konfirmuar Bumçin në krye të kësaj dege me 509 të votave, i ndjekur nga Gjergj Bojaxhi me 171 vota dhe Lajla Përnaska me 41 të votave. Numërimi ka mbaruar në orët e vona dhe, ashtu siç pritej, Bumçi ka dalë fitues.

Një tjetër kandidat, Besnik Mustafaj, deklaroi se tërhiqet nga gara një ditë më parë, duke deklaruar se ishin shkelur procedurat dhe statuti. Në këtë mënyrë është vepruar në të gjitha zgjedhjet e degëve, të cilët janë bërë pa u mbledhur forumet dhe me shpejtësi, pa u lajmëruar kohë më parë kandidatët.

Vetë kryeministri, Sali Berisha, i dha drejtim kësaj dege, kur shpalli se Aldo Bumçi ishte kandidaturë e shkëlqyer. Për shumë analistë, zgjedhja e Bumçit në këtë degë shihet si konfirmim i njërit prej njerëzve të ngushtë të rrethit Berisha. Kohët e fundit media e ka vënë në shënjestër ish-ministrin e Drejtësisë, për shkak se ky i fundit i raportonte djalit të kryeministrit për infrastrukturën ligjore që po përgatitej për Gërdecin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›