Rreziku prej kanalizimit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Policisë i Serbisë, Ivica Daçiç, ka paralajmëruar që masat e sigurisë gjatë vizitës së mysafirit nga SHBA do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm, thënë ndryshe në “nivelin e sigurisë numër një”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim në aktivitetet e dendura të policisë gjatë vizitës së Biden, e cila do të nënkuptojë mbyllje të trafikut, sepse siguria e mysafirit të huaj dhe bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës janë dy obligime ndërkombëtare të Serbisë. Po të mos ishte kështu, Ivica me shumë dëshirë do t’i lejonte qytetarët që të digjnin edhe një herë ambasadën amerikane. Për t’i qetësuar nazistët e shqetësuar, beogradasit, të cilëve u është rrëmbyer nga kraharori zemra e Kosovës, e në rrugë e sipër u ka pëlcitur edhe truri, Daçiç ka shpjeguar se edhe atë ashtu e ruajnë, kur shkon mysafir në shtete të huaja.
Agjencia Informative dhe e Sigurisë (BIA) ka paralajmëruar se për nevoja të sigurisë së Biden do të formohet një shtab special, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj agjencie, MUP dhe përfaqësues të ministrive të tjera. Për shkak të prezencës së shtuar të policisë nëpër rrugë, sigurisht në këtë shtab do të gjendet edhe Ratko Mlladiç, në mënyrë që të mos arrestohet pa dashje prej ndonjë polici të painformuar në rrugët e Beogradit.
Për shkaqe sigurie, data e saktë e vizitës së Biden do të mbetet sekrete, por kjo do të kuptohet në momentin kur në Beograd trafiku rrugor do të pësojë kolaps. Biden është zyrtari më i lartë amerikan që vjen në Beograd në tri dekadat e fundit, pas vizitës së presidentit Jimmy Carter.
Kur do të mbërrijë në Beograd zëvendëspresidenti amerikan, të gjitha pusetat do të saldohen, perdet e banesave do të mbyllen, në kulme të ndërtesave do të qëndrojnë snajperët, kurse spitalet do të jenë në gjendje të lartë gatishmërie. Rrugët nga do të kalojë mysafiri i rëndësishëm nga Uashingtoni dhe shoqëruesit e tij do të bllokohen, policia do të jetë në çdo hap, kurse në vigjilje të vizitës rrjetin e kanalizimit të qytetit do ta kontrollojë njësia speciale e policisë me qentë e tyre.
Policia dhe shërbimet informative një kujdes të veçantë do t’i kushtojnë edhe Vuk Jeremiçit dhe Miladin Kovaçeviçit. (Kovaceviç është basketbollist serb, i cili është arratisur nga SHBA pasi kishte rrahur rëndë një basketbollist tjetër. Ekstradimin e tij për në vendin ku e ka shkaktuar krimin Uashingtoni e kërkon me ngulm). Këta të dy konsiderohen si rreziku më i madh për Biden dhe këshilltarin e tij për Çështje të Sigurisë, Antony Blinken (gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, kishte gënjyer se është takuar me z. Blinken, gjë që ishte mohuar kategorikisht prej Shtëpisë së Bardhë). Jeremiç, i cili tashmë e ka të sigurt që nuk do ta takojë Biden, ka disa mundësi në dispozicion për ta shprehur pakënaqësinë e tij për ardhjen e Biden dhe posaçërisht këshilltarit të tij, i cili e ka nënçmuar në kohën kur Jeremiç ka qëndruar në Uashington.
Njëra prej mundësive është që ai të mbyllet në njërën prej pusetave të kanalizimeve, e cila më vonë do të saldohet dhe aty Jeremiç do t’i kalonte disa ditë të qeta, derisa të huajt ta lëshonin qytetin e tij të dashur. Mundësia e dytë është që ministri i çeliktë i qeverisë së Serbisë të hidhet në ndonjërin prej kontejnerëve të mbeturinave, i cili automatikisht do të largohet nga rruga, nëse asaj rruge do të kalojë autokolona me delegacionin e lartë amerikan.
Opsioni i tretë është që t’i bashkohet protestës së organizuar prej koalicionit popullor dhe organizatës para-psikologjike, “Dveri”. Ata, në mungesë të informatave për datën e saktë të ardhjes së delegacionit amerikan, ditë e natë do të mrizojnë në “Trg Republike” me të përgjumurin Vojislav Kostunica dhe pijanecin Velimir Iliç. Kështu që edhe Vuku, në vend që të qëndrojë i vetmuar në kanalizim, mundet të protestojë i qetë me bashkëmendimtarët e tij.
Mundësia e fundit për këtë serb të çeliktë është që së bashku me të përndjekurin e çeliktë, serbin Miladin Kovaçeviç, duke shfrytëzuar pasaporta të falsifikuara, të udhëtojnë në Nju-Jork, ku së bashku mund të rrihnin ndonjë kalimtar të rastit. Kështu do ta mundnim edhe një herë paktin e keq të NATO-s.