E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i italianëve: E majta fiton zgjedhjet, në Tiranë me avantazh më të thellë

Nga Tema

Sondazhi i djeshëm elektoral i kompanisë italiane IPR Marketing, në bashkëpunim me RTV Ora News e nxjerr të majtën fituese të zgjedhjeve, në rast se ato do të zhvilloheshin sot.

Koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialiste “Bashkimi për Ndryshim” udhëheq me 47.3% të votave. Vetë Partia Socialiste merr 43%, G99 merr 3.2% dhe partitë e tjera të koalicionit marrin 1.1%.

Socialistët janë pak a shumë në të njëjtat nivele si në muajin prill, kur koalicioni i tyre merrte 45% deri në 49% të votave.

Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike, “Aleanca për Ndryshim” merr 44.7% të votave. Vetë demokratët marrin 42% të votave; 1% e marrin republikanët, ndërsa 15 partitë e tjera të këtij koalicioni marrin në total 1.7% të votave.

Duhet thënë se koalicioni i drejtuar nga PD ka pasur rritje në krahasim me muajin prill, muaj në të cilin përqindja e këtij koalicioni varionte nga 39.5% deri në 43.5%.

Koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim merr 7% të votave. Në muajin prill ajo merrte 6% deri në 10% të votave.

Më dobët shfaqet koalicioni “Poli i Lirisë” që merr vetëm 0.5% të votave.

Të pyetur pavarësisht bindjeve të tyre partiake, se kush mendonin se do i fitonte zgjedhjet, përqindjet janë të njëjta. 39% mendojnë për PS, 39% po ashtu për PD. Kjo përqindje në muajin prill ka qenë 40% për PS dhe 33% për PD. 3% vazhdojnë të mendojnë se do fitojë LSI, ndërsa 17% janë të pavendosur ende.

93% e shqiptarëve i shohin zgjedhjet si shumë të rëndësishme, ndërsa 87% mendojnë se vota e tyre është e rëndësishme.

Prefektura e Tiranës

Nëse sot do të votohej, koalicioni i drejtuar nga PS do të merrte më shumë vota në prefekturën e Tiranës, e cila nxjerr numrin më të madh të deputetëve, plot 31 të tillë.

Në këtë prefekturë socialistët bashkë me aleatët marrin 49% të votave. Vetë PS merr 46%, e pasuar nga G99 me 2.5% të votave.

Demokratët janë më dobët në prefekturën e Tiranës. Ata marrin si koalicion 43%, ndërsa vetë PD merr 41%. Përqindjet e tjera janë 1 për republikanët dhe 1.1 për të tjerët.

LSI gjithashtu shfaqet pak më dobët në Tiranë duke marrë 6% të votave si koalicion. Nga këto vetëm 4.5% shkojnë për LSI dhe 1.6% për partitë e tjera.

“Poli i Lirisë” është më mirë në prefekturën e Tiranës duke marrë 1.3% të votave.

Problemet që shqetësojnë shqiptarët

Duhet theksuar se problem madhor për shqiptarët ngelet papunësia, në vend të dytë është varfëria dhe në vend të tretë korrupsioni.

Papunësia po shfaqet si problem kryesor në të gjitha sondazhet që po zhvillohen në Shqipëri, duke e nxjerrë demagogji të gjithë retorikën e qeverisë se ka përmirësuar shumë gjëra, por jo sa i përket punësimit. Duhet thënë se papunësia si problem madhor ka një diferencë të theksuar me problemet e tjera. 75% e shqiptarëve e shohin atë si problem kryesor. Në vendin e katërt si problem madhor janë pagat dhe pensionet e ulëta, ndërsa në vendin e pestë është shëndetësia.

Krahasimi mes liderëve

Shqiptarët kanë humbur besimin te Sali Berisha, megjithatë duhet thënë se gjatë muajit që shkoi përqindja e njerëzve që besojnë tek ai është rritur, por prapë është më e ulët se përqindja e njerëzve që nuk e besojnë.

Kështu, 46% e njerëzve nuk e besojnë, ndërsa 45% e besojnë. Në muajin prill kjo diferencë ishte shumë e thellë me 39% që e besojnë dhe 52% që nuk e besojnë. Ndërsa Ramën e besojnë 54%, e nuk kanë besim 34%. Duhet thënë se edhe për Ramën gjatë muajit maj është rritur besimi nga 52% në prill, në 54% në maj.

Sali Berisha është më i ndershëm dhe i sinqertë se Edi Rama, ndërsa Edi Rama është më kompetent se Berisha. Kështu, 57% e shqiptarëve mendojnë se Berisha është i ndershëm dhe i sinqertë, ndërsa 43% kanë këtë mendim për Ramën. Nga ana tjetër, 60% mendojnë se Berisha është kompetent, ndërsa 67% kanë këtë mendim për Ramën.

Kryetari i PS është më i besueshëm se ai i PD me 56%, ndërsa 48% mendojnë se Berisha është i besueshëm. Shqiptarët mendojnë se Rama është më i aftë se Berisha për të komunikuar, e po ashtu mendojnë se ai është më konkret se ai.

Rama është më simpatik se Berisha e po ashtu më arrogant. Kryetari i PS është përpara Berishës edhe për sa i përket faktit nëse është afër problemeve të njerëzve.

Të dy janë pak a shumë njësoj oportunistë, ndërsa Rama udhëheq duke qenë më inovativ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›