Grupi i milionerëve socialistë braktis parlamentin
Më të pasurit e Ballkanit, të cilët pronat e tyre i kanë të paidentifikuara dhe të vëna përmes dhunës, grabitjes dhe hileve fiskale, po orientojnë bojkotin më të padëgjuar në historinë e politikës moderne, përmes pilotimit të veglës së tyre në krye të Partisë Socialiste. Bojkoti është shpresa e vetme e tyre, që përmes destabilizimit të shpëtojnë ndonjë pjesë të pasurisë së tyre informale, por Edvinit dhe milionerëve socialistë do t’u duhet të merren shumë me anëtarësinë socialiste, e cila po kupton se po trajtohet si mish për top nga një grup malavitozësh që u ka marrë peng partinë
Nuk ka më asnjë dyshim se milionerët më të rëndësishëm në rajon, të cilët kanë vënë nën këmbë Partinë Socialiste, përmes pilotimit të Edvinit në krye të saj, dhe bllokimit të çfarëdolloj mekanizmi statutor, që do të mund ta prishte këtë status-quo, kanë vendosur që të bojkotojnë institucionet e shtetit shqiptar, si mënyra më e mirë për të mbrojtur edhe për disa kohë, pasuritë e tyre të paligjshme. Më të pasurit e rajonit janë shprehur për bojkotin më të padëgjuar, dhe megjithë pazakonshmërinë e pohimit, veprimi demaskon aksionin politik të shmangies së transparencës për trustin më të rrezikshëm politik. Dhjetëra prona të paidentifikuara e rrjedhimisht të padeklaruara, pasuri të tjera të trashëguara me anë të hileve fiskale nga më të padëgjuarat, por edhe frone e prona të fituara me mënyra krejt të dhunshme e që duhet të jenë objekt i institucioneve të drejtësisë janë fakte të mjaftueshme për t’i dhënë “kuptim” aksionit të paprecedent të Edvin Ramës. Ai është në krye të PS-së pikërisht për të kryer këto veprime që e lënë ende Shqipërinë në hartën e vendeve të destabilizuara, në listën e vendeve në tranzicion, pra rrjedhimisht edhe në listën e vendeve, të cilat u tolerohet, deri në njëfarë shkalle përfitimet nga bota e krimit dhe e korrupsionit. Tek kjo hapësirë buron edhe pasuria e grupit të milionerëve socialistë që kanë mandatuar Edvinin në krye të PS-së dhe që po e detyrojnë atë që të ndalë deputetët e partisë së tij të paraqiten sot në sallën e seancave plenare për të pranuar mandatin e ligjvënësit që u ka dhënë sovrani.
Mandatet janë një çështje që paraqet pak interes për këta milionerë... Atyre u duhet ende një Shqipëri e pastabilizuar, një shtet që nuk i ndjek dot deri në fund pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme e së fundmi, por më e rëndësishmja, atyre u duhet një shtet i cili nuk do të ketë legjitimitet që t’i ndjekë këta malavitozë, derisa t’i vërë para organeve të drejtësisë. Kjo perspektivë duhet ndalur patjetër dhe bojkoti është mënyra më e shkurtër dhe më shpresëdhënësja për t’ia arritur këtij caku.
Por ashtu siç është vepruar për t’i vënë pasuritë, edhe për të kryer obstruksionin ndaj strukturave shtetërore, e domosdoshme është që anëtarësia socialiste të mos kuptojë se është rreshtuar në një llogore me miliionerët më imoralë të rajonit, të cilët edhe po zhvillojnë përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të mbrojtur pronat e vëna në kundërshtim me ligjin. Për ta fshehur këtë aksion, në lojë është sërish buratini, kryetari mandatprerë i PS-së, i cili do të duhet edhe në të ardhmen të artikulojë teza “përtej së majtës e së djathtës”, “në mbrojtje të shtresave të paprivilegjuara”, “në rrugë kundër pushtetit të ardhur me vota të paligjshme”, por që në fakt do të sillnin thjesht tek kthesa e malavitës, tek bojkoti i shumëkërkuar, tek mbajtja gjallë e një vatre destabilizimi e tek shtyrja në pafundësi e aksionit final për shtetëzimin e pasurive që janë vënë në kundërshtim me ligjin.
Ironia e gjithë kësaj beteje është fakti se kamikazë njerëzorë për këtë aksion malavitoz po shërben solidariteti i disa strukturave të anëtarësisë socialiste, por edhe shumica dërrmuese e grupit parlamentar socialist, e cila e painfektuar nga kjo botë malavitoze, nuk po arrin të marrë vendimin politik për të mos e mbështetur bojkotin, vendim që ndoshta do të ishte edhe i pari në jetën e tyre politike.