Intervista Farudin Hoxha- politikës: “Mos ndërhyni, të merren specialistët”
Autori i Lajmit: Redaksia
Për situatën është shprehur dje edhe një nga projektuesit e digave dhe ish-drejtor i KESH-it, Farudin Hoxha, ku sipas tij, mënyra e shkarkimit në anën e poshtme të hidrocentralit të Fierzës do të bëhet me mënyrën më të mirë dhe më specializuar dhe do të shkaktojnë sa më pak dëme në këtë rast. “Unë do të bashkohesha me thirrjen e të gjithë shqiptarëve në këtë rast që ti binden urdhrit për tu larguar, sepse tashmja, dihet e ardhmja padyshim që nuk dihet. Por, ka një perceptim, për situatën, i cili është shumë i zymtë dhe që kjo të mos realizohet, banorët duhet të ikin, të largohen”.
A ka pasur devijim nga rregullorja?
Ndonjë ndikim të vogël sigurisht që edhe mund të ketë, nuk e përjashtoj, sigurisht. Ndoshta, do të duhej që disa shkarkime të bëheshin edhe më përpara. Por, ndikimi i tyre nuk është aq katastrofik sa vërehet sot. Këto prurje aq të jashtëzakonshme aq të mëdha do të duhet të kalohen në asnjë mënyrë tjetër, përveç se në bazë të rregullores që ka kaskada e Drinit për shkarkimin e prurjeve të mëdha. Unë kam dëgjuar poshtë e përpjetë, këto mund të jenë edhe thashetheme që ndërhyrjet e njerëzve të pushtetshëm, njerëzve të politikës të Ekzekutivit që japin urdhra për të ndaluar e për të shtuar, bëjnë gabimin më të rëndë e më të madh. Këtë duhet ta lënë në dorë të njerëzve të specializuar të teknikëve, sepse më mirë se ata askush tjetër nuk mund ta bëjë.
Si po menaxhohet aktualisht situata?
Sigurisht Korporata Elektroenergjetike, e cila është edhe organi përgjegjës për këtë punë po mundohet që këtë ta realizojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë kisha mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Digave të mëdha, pikërisht për situatën në Kaskadën e Drinit edhe për rrugëzgjidhjen që duhet të ndiqet. Deklarata e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha është kjo: ”Lërini ndërhyrjet në problemet e kaskadës së Drinit, lëreni dhe besojani ato njerëzve të ngarkuar me këtë detyrë, lëreni këtë në dorë të tyre se më mirë se ata nuk mund ta bëjnë askush. Këtë mund ta bëjnë vetëm duke zbatuar në mënyrën më rigoroze të mundshme atë rregullore e cila nuk është bërë në mënyrë spontane, por është një studim i tërë i një mori specialistëve të shumë specialiteteve, e cila bën të mundur kalimin e plotave në mënyrë të sigurt për madhësinë e tyre të parashikuar në projekt dhe me humbjet minimale të mundshme. Lutja ime do të ishte mos ndërhyni në këtë problem aq të rëndë dhe në këto ditë aq të rënda. Lëreni këtë në duar të specialistëve.
Z. Hoxha, a rrezikohet çarja e digave?
Absolutisht, nuk bëhet fjalë për çarjen e digave. Çarja e digave mund të bëhet vetëm n.q.s kalon uji mbi të. Në rast se do të respektohen këto për të cilat unë fola të jeni të sigurt dhe të rrini të qetë aty ku jeni edhe sot që nuk ju gjen gjë. Por, mos ndërhyni, hiqni dorë dhe ndiqni punën e organizmave të tjera që secili të bëjë detyrën e tij. Këtë detyrë e ka KESH-i dhe lërjani KESH-it.
Portat e Fierzes funksionojnë normalisht, a janë të sigurta?
Portat e Fierzës janë të gjitha të sigurta me përjashtim të një porte, dhe këtë e dinë të tërë dhe është porta e tunelit tre. Ishalla sbëhet gjë tjetër, vetëm ti lutem Zotit që të mos vijë radha për hapjen e saj.
Çfarë do të shkaktonte?
Nuk e di si mund të funksionojë ajo, por në rast rreziku, edhe ajo ka një zgjidhje. Të hapet në mënyrë të sforcuar.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010