Bundesliga/ Bajerni: Ky, paralajmërim për rivalët

Bajerni i Mynihut la pas ndryshkjen tradicionale të fillimsezonit dhe korri një fitore mëse të merituar, 2-0, kundër Borusias së Dortmundit, në ndeshjen që ngriti siparin e sezonit të ri të Bundesligës gjermane. Kjo fitore ka bërë që atmosfera në kampin e bavarezëve të jetë mjaft pozitive dhe këtë e shprehu edhe trajneri i skuadrës. "Gjatë gjithë ndeshjes së sotme, unë vërejta që skuadra tashmë "e ka marrë kthesën", - deklaroi trajneri Feliks Magath, - dhe ne ishim fizikisht gati pikërisht në kohën e duhur. Kjo më bën të them se sonte do të shkoj në shtëpi mjaft i lumtu."
Trajneri i Bajernit theksoi se golat u shënuan në kohën e duhur, duke shtuar: "Kemi patur pak kohë në dispozicion dhe prandaj nuk kishte asnjë rëndësi t'i kushtoje vëmendje rezultatet e arritura në ndeshjet e ndryshme miqësore të parasezonit. Gjithsesi, të dyja skuadrat kontribuan në një ndeshje mjaft cilësore të fillimit të këtij sezoni. Diferenca ishte se ne i shënuam golat pikërisht në kohën e duhur, por Dortmundi ishte në të njëjtin nivel me ne dhe na shtyu në kufinjtë e mundësive tona. Edhe pse pësuan dy gola, ata vazhduan të na mbajnë nën presion, duke krijuar edhe një apo dy raste për shënim."
Në përfundim të deklaratës së tij, Feliks Magath, tha: "Mund të thuhet që na ndihmoi ca fati, por, unë do t'ju bindja që edhe atë e merituam. Deri në ndeshjen e sotme, nuk e kishim të qartë, se ku qëndronim në lojën tonë, kështu që e ndjeva se ishte e rëndësishme që të nxirrja në fushë një skuadër titullarësh." Ndërkaq, golashënuesi Roi Makai paralajmëroi rivalët. "Ndeshjet e fundit kanë qenë të vështira për mua dhe skuadrën, por, sot ishim një skuadër solide dhe krijuam mjaft raste për shënim dhe besoj se u kemi dërguar një sinjal të qartë rivalëve tanë në luftën për kurorën e Bundesligës."
Ndërkaq, trajneri i Borusias së Dortmundit, holandezi Bert van Marvijk, fajësoi fatin, por u shpreh i kënaqur nga loja e skuadrës. "Të dyja skuadrat luajtën mirë në këtë ndeshje, - tha ai. - Erdhëm këtu për të marrë një rezultat pozitiv, por ndeshjen e humbëm në pjesën e parë. Ishim më bujarë se c'duhej në 20 minutat e para dhe kjo na kushtoi shtrenjt. Mendoj se ishim edhe paksa të pafat, por, të paktën, treguam se jemi të aftë të dhurojmë një futboll të bukur. Në fund të fundit, unë mbetem gjithsesi i zhgënjyer, pasi besoj se, me pak kujdes, mund të kishim marrë dicka nga kjo ndeshje e parë."
Altin B. Kodra