E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa/ Rivalë të vjetër, fytyra të reja në Liverpul-Çelsi

Nga Altin B. Kodra

Celsi dhe Liverpuli janë përballur plot 10 herë në këto dy sezonet e fundit, kështu që është mjaft e goditur që këto dy skuadra të diskutojnë midis tyre "Community Shield" (sic njihet ndryshe Superkupa e Anglisë), në atë që do të shërbejë si prologun e sezonit të ri të Premier Ligës Angleze e që do të luhet sot në Stadiumin "Millennium" të Kardifit. Natyrshëm që rivaliteti midis trajnerëve dhe skuadrave mbetet i njëjtë në këto 10 përballje të fundit, nga të cilat Celsi ka fituar gjysmën, por është mundur në sfidat e gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve më 2005-n dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë sezonin e shkuar. Dhe kjo ndjenjë e rivalitetit të hidhur ka vijuar të mbizotërojë edhe në këtë pragsezon, pasi trajneri i Celsit, Hoze Mourinjo, i ka cilësuar si zero shanset e Liverpulit për të fituar titullin dhe ka parashikuar vetëm një vend të katërt për skuadrën e homologut të tij, spanjollit Rafael Benitez. E gjjithë kjo vetëm sa do ta shtojë dozën e asaj që po shndërrohet cdo vit në uverturën mjaft konkurruese të sezonit të ri, ku përballen me njëra-tjetrën kampionia e Anglisë dhe fituesja e Kupës. Gjithsesi, ajo që preokupon aktualisht mendjet e tifozëve sot në Kardif nuk do të jetë e shkuara, por fytyrat e reja të skuadrave të tyre dhe shpresa për të ardhmen. Liverpuli, që vjen në këtë sfidë falë suksesit që arriti në "FA Cup" (Kupën e Anglisë), kundër Uest Hemit, pikërisht në të njëjtin stadium në maj të këtij viti, e ka nisur tashmë sezonin e saj me atë fitore 2-1, të arritur të mërkurën në Ligën e Kampioneve, në turin e saj të tretë eliminator, kundër Makabi Haifas. Nuk ishte cudi që skuadra angleze dukej pak e ndryshkur në ndeshjen e luajtur në fushën e vet, në "Anfilld", por ajo dha edhe shenja për shpresë, vecanërisht nga debutimi me gola i të sapoardhurve Kreig Belami dhe kiliani Mark Gonzales. Belami do t'i japë sulmit të Liverpulit shpejtësinë dhe forcën goditëse që i ka munguar. Ndërkaq, Gonzales dhe një tjetër i sapoardhur, Zhermein Penant, do t'i japin trajnerit mundësi për zgjedhje që i munguar dukshëm sezonin e shkuar. "Është e rëndësishme që të tregojmë se, këtë sezon, ne kemi më shumë lojtarë që mund të shënojnë", - tha Benitez, skuadra e të cilit është cilësuar nga bastexhinjtë si favoritja e dytë, në gjasat 6-1, pas Celsit, për të fituar titullin dhe, është hera e parë në historinë e Premier Ligës, që Liverpuli e nis sezonin me gjasa më të mira sesa Mancester Junajtid. "Të kuqtë" mbeten gjithsesi mjaft prapa Celsit, që janë favoritët kryesorë për fitimin e titullit të tretë radhazi, por, nëse Liverpuli i mund "Blutë" sot në Kardif, kjo mund t'i japë skuadrës së Benitezit besimin dhe sigurinë në vetvete që ta bëjë atë të mendojë se mund të luftojë edhe për trofeun më të rëndësishëm të sezonit, kampionatin. Kanë kaluar tashmë plot 15 vjet që nga 1990-a, koha kur Liverpul fitoi të fundit e 18 titujve të kampiones, një rekord më vete në Angli, dhe tashmë është Celsi me buxhetin pa kufi, që kërcënon të vendosë hegjemoninë në futbollin anglez. Skuadra londineze e ka pasuruar edhe më tepër përbërjen e skuadrës së saj me blerje të tjera yjesh dhe, ndërkohë që Liga e Kampioneve është syninim numër një Mourinjos dhe presidentit të klubit, Roman Abramovic, lufta për një vend në formacion do të sigurojë që "blutë" të mbeten një kundërshtar mjaft i fortë në veprimtaritë kombëtare. Mesfushori Mikael Balak dhe sulmuesi Andrij Shevcenko duhet të shijojnë për herë parë futbollin anglez më 20 gusht 2006, në "Stemford Bridxh", kundër Mancester Sitit, por ndeshja e sotme do të jetë fare pranë asaj që do të shërbente si një hyrje e vlefshme. Ndërkohë, Mourinjo nuk e ka fshehur aspak faktin se ai e shikon përballjen e sotme në Stadiumin "Millennium" si një tjetër hap në përgatitjet e skuadrës së tij për betejën e vërtetë. "Nuk do të dëshiroja aspak ta bëja në ndonjë mënyrë tjetër, - deklaroi ai dje, duke folur për shtypin vendas. - Unë dua ta fitoj këtë trofe, por, në të njëjtën kohë, këtë vit, kam një tjetër këndvështrim përsa i përket kësaj ndeshjeje. Unë dua të provoj shumë nga lojtarët e mi dhe të provoj njëkohësisht edhe gjëra të reja, përsa i përket skemave të lojës." Ndeshja e sotme e Superkupës së Anglisë luhet në ora 16:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›