E Shtunë, 31 Tetor 2026

U-21 fiton miqësoren me Vllazninë 2-1

Skuadra kombëtare U-21 ka fituar sot ndeshjen e kontrollit kundër Vllaznisë (2-1), luajtur në stadiumin "Selman Stërmasi" në Tiranë. Kjo ishte ndeshja e fundit testuese për trajnerin Artan Bushati, para nisjes për në Sllovaki të hënën, ku do të zhvillohet ndeshja me skuadrën vendase, e vlefshme për kampiona tin evropian. Në ndeshjen e djeshme, Bushati aktivizoi mbrojtësin Tefik Osmani, i marrë nga kombëtarja për të riparuar të carat në mbrojtje. Pas takimit, Bushati vuri në dukje se prania e Osmanit i jep më tepër siguri skuadrës, megjithatë edhe sot u vunë re disa gabime në qendër. Megjithatë, në ato raste u pa forma e mirë e portierit Koliqi, i cili bëri disa pritje të mira, duke mos lejuar golin. Përgjithësisht ishte Vllaznia që zhvilloi më tepër volum loje, ndërsa kuqezinjtë i lanë terren. Ra në sy rreshtimi i Vangjel Miles në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërkohë që dyshja e sulmit përbëhej nga Pema dhe Abazaj. Ishte ky i fundit që shënoi golin e parë, pas një hezitimi të mbrojtjes shkodrane. Pas një topi nga thellësia, Pema, në pozicion jashtë loje, nuk tentoi të kapte topin dhe nga ky shkak ndaluan edhe Teli e Dabulla, të cilët mund ta kishin arritur. Nga kjo situatë përfitoi menjëherë Abazaj, i cili sprintoi fuqishëm dhe, pasi kontrolloi topin, kaloi edhe portierin dhe shënoi. Vllaznia mund të kishte barazuar në fund, por Muja goditi jashtë me të majtën, nga një distancë e shkurtër. Kosovari është në provë te Vllaznia, së bashku me një tjetër të ardhur nga Gjermania, Gentian Durishti, por ky i fundit u aktivizua vetëm pak minuta.
Në pjesën e dytë, Bushati e ndërroi të gjithë skuadrën, por portieri Bishani luajti vetëm pak minuta, i dëmtuar pas një rrëshkitjeje të Licit, që solli përplasjen midis tyre. Pas barazimit të pritshëm të shkodranëve, të cilët e zhvendosën lojën, ishte sulmuesi Cota që riktheu epërsinë e kuqezinjve, me një diagonale që mposhti Grimën. Përgjithësisht u pa një lojë e mirë nga skuadra U-21, por u shfaqën edhe disa probleme në pasimin e fundit, ku gabimet nuk ishin të pakta. Në fundin e ndeshjes, Bushati vlerësoi pikërisht rregullimet e bëra në mbrojtje, edhe pse u shpreh që ka ende probleme, të cilat shpreson t'i korrigjojë sa më shpejt. "Osmani na jep më tepër siguri dhe u pa që ai solli përmirësim në mbrojtje, por probleme kemi ende. Skuadrën e kam në kokë dhe shpresoj që në Sllovaki djemtë të luajnë me angazhimin maksimal", tha Bushati. Ndërkohë ai u shpreh se duhet të presë se si do të shkojë vizita e sotme mjekësore e portierit të dytë, Olti Bishani, i dëmtuar. Nëse shkodrani nuk do të jetë në gjendje, portier i dytë do të jetë Xhimi Tufina.
Formacioni titullar i kombëtares U-21 kundër Vllaznisë ishte:
Koliqi, Osmani, Dushku, Arapi, Mile, Agolli, Lila, Veliaj, Bakaj, Abazaj, Pema

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›