E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga/ Shalke mundi 3-1 Augsburgun

Garës për titullin kampion në Bundesligë është zbukuar edhe më tepër pasi në të ka hyrë një ekip që njihet në Gjermani si “Blutë Mbretërorë”. Shalke mundi 3-1 Augsburgun në Gelsenkirshen, ndonëse u barazua përkohësisht, duke qenë tani në vend të katërt në renditje, vetëm 3 pikë larg Bajernit që kryeson.

Klas Jan Huntelar shënoi golin e parë për vendasit në minutën e 15-të pasi u shërbye nga Puki dhe goditi nga 6 metra largësi, duke qenë ky goli i 13-të për holandezin në këtë sezon të kampionatit, pra duke u barazuar në krye të shënuesve me Mario Gomezin e Bajernit. Në nisje të pjesës së dytë Mëlders solli barazimin, pasi lojtari mik përfitoi nga hezitimi i mbrojtjes vendase dhe realizoi nga 10 metra distancë nga porta.
Gjithsesi, Shalke reagoi dhe rigjeti epërsinë me një gol shumë të bukur shënuar nga Fuhs, që gjuajti me të majtën nga një distancë e madhe.

Augsburg sërish ishte kërcënues dhe shënuesi i golit të parë Mëlders, iu afrua barazimit në 77’, por gaboi ndonëse ishte pranë portës së vendasve.

Llogaritë në këtë takim i mbylli Raul Gonzales, pasi spanjolli veteran shfrytëzoi një pasim me kokë të Huntelarit për ta dërguar topin në rrjetë.
Përfundoi me fitore ndeshja e 300-të e trajnerit holandez Hub Stevens në Bundesligën gjermane, një fitore që e bën Shalken pretendente për titull, bashkë me Bajernin dhe dy Borusiat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›