Bundesligë: Lala mirë, Vata dobët
03/05/2005 Fundjava që lamë pas nuk ka qenë ndër më të mirat për legjionarët shqiptarë, që luajnë në kampionatet e ndryshme europiane. Bashkëkombasve tanë, që kanë zbritur në fushat e futbollit të premten, të shtunën apo të dielën, u ka munguar goli. Gjithsesi mes tyre ka patur edhe nga ata, që ka bërë paraqitje të mira, të cilat kanë ndihmuar skuadrat e përkatëse për të marrë pikë shumë të rëndësishme në këtë këtë fund sezoni. Një ndër ta është Altin Lala, mesfushori i Kombëtares kuqezi, i cili luan në rradhët e skuadrës së Hanoverit në Bundesligën gjermane të futbollit. Lala ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe ka qenë protagonist në fitoren 1-0, që skuadra e tij ka marrë në shtëpinë e saj përballë Nurenbergut. Nota 3 ka qenë edhe vlerësimi i dhënë nga revista prestigjoze sportive gjermane, “Kicker”, për lojën e shqiptarit në këtë sfidë. Gjatë kësaj ndeshje, grinta treguar nga kapiteni shqiptar Hanoverit, është ndëshkuar në një rast nga gjyqtari kryesor me kartonin e verdhë. Në përfundim të ndeshjes Lala është shprehur: “Kjo është një fitore shumë e rëndësishme për ne. Zhvilluam një lojë të mirë. Shënuam të parët dhe më pas u mbrojtëm për të mos pësuar asnjë gol. Por gjithashtu tentuam të shfrytëzonim mundësitë e shumta që patëm përpara”. Për sa i përket shqiptarëve të Bundesligës, krejt e kundërta është parë te Vata e Skela. Skuadra e tyre, Arminia Bielefeld është mundur me rezultatin 3-0 në trasfertën kundër Verder Bremenit. Revista “Kicker” ka vlerësuar Vatën me notën dobët (5) për 57 minutat e tij në fushë. Ndërsa Skela është aktivizuar si zëvendësues në minutën e 67, por nuk ka mundur të ndihmojë skuadrën, që të shmangë fatin e asaj humbjeje të thellë. Në Bundesliga 2, edhe pse si zëvendësues, është rikthyer sulmuesi kavajas Edmon Kapllani, skuadra e të cilit (Karlsruhe) ka fituar 2-0 ndeshjen përballë Eintracht Trierit. Në Itali janë aktivizuar Tare me Bolonjën (Seria A) dhe Bogdani me Veronën (Seria B). Tare ka filluar ndeshjen si zëvendësues në ndeshjen e humbur 2-1, që skuadra e tij ka luajtur kundër Juventusit,. Vetëm 5,5 ka qenë nota e dhënë për të nga medja italiane. Ndërkohë pak më e mirë duket se ka qenë paraqitja e Bogdanit në ndeshjen, ku Verona e tij ka marrë një barazim 0-0 përballë Krotones. Sulmuesi shqiptar është vlerësuar me notën 6: “Faulli ndaj Gastaldellos e ka nervozuar që në minutat e para dhe ka ardhur ndëshkimi me karton të verdhë, të cilin gjyqtari mund edhe ta kishte kursyer. Nuk bëri një ndeshje të madhe, kjo është e vërtetë, dhe më shumë se një herë bëri të shpërthenin protestat e tifozëve për egoizëm, por ai është një lojtar fondamental për manovrën e skuadrës së Veronës”, - shkrunte dje gazeta italiane “L`Arena”.