E Hënë, 2 Nëntor 2026

Muça: Tirana, dy ndeshje për dy trofe

03/05/2005  Sekretari i klubit bardheblu flet në prag të sfidës së dyfishtë me Teutën, ku Tirana do të kërkojë të shtunën, pikët e titullit dhe të mërkurën, fitoren e Kupës”

Java në vazhdim është dhe më deçizivja për Tiranën, në këtë edicion (2004-2005) të futbollit shqiptar. Kjo për vetë faktin se në këto 7 ditë që pasojnë, bardheblutë kanë mundësinë të mbyllin në mënyrën më të mirë një sezon të tërë: fitimin e dy trofeve, titullit kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Por koinçidenca ka të bëjë me faktin tjetër se të dyja ndeshjet do të jenë përballë të njëjtit kundërshtar, Teutës. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë sekretari i klubit bardheblu, Shkëlqim Muça. “Tirana i ka më se të qarta objektivat e saj dhe në këto 7 ditë do të kërkojë sigurojë të dyja trofetë e këtij edicioni. Jemi shumë pranë arritjes së tyre, mjafton vetëm të japim maksimumin në dy ndeshjet e radhës, të shtunën dhe të mërkurën”. Pas fitores në derbin e të shtunës së fundit, kundër Partizanit, bardheblutë janë ngjitur në kuotën e 78 pikëve, në krye të tabelës së klasifikimit. Kur duhen edhe tri javë për t’u mbyllur sezoni, atyre do t’iu mjaftonte vetëm një pikë për të siguruar edhe matematikisht titullin. Dhe këto pikë do t’i kërkojnë t'i marrin të shtunën në shtëpinë e Teutës, “Niko Dovana”. “Nuk do të nënvlerësojmë aspak ndeshjen e së shtunës - ka vazhduar më tej Muça. – Madje kjo konsiderohet dhe si ndeshja më e rëndësishme për ne, edhe për faktin se vjen para të dytës. Skuadra që do të zbresë në “Niko Dovana”, ju garantoj që do të përbëhet nga 11-lojtarët më të mirë të grupit. Për ketë ndeshje nuk do të ketë alternativë tjetër, veç sigurimit të pikëve matematike për titullin kampion”. Ndërkohë që vetëm tri ditë më vonë, pikërisht të mërkurën, skuadra kryesuese e kampionatit do të shikojë përballë, sërish durrsakët, por këtë herë në finalen e Kupës. Një fitore në këtë ndeshje do ta bënte këtë dhe sezonin ideal për bardheblutë. Takimi mes dy skuadrave është programuar për t’u luajtur në stadiumin e qytetit të Elbasanit, “Ruzhdi Bizhuta”. “Pas ndeshjes së të shtunës, do të fillojmë të mendojmë për atë të së mërkurës, e cila do të jetë po aq e rëndësishme sa e para, për vetë faktin se kemi mundësi të sigurojmë dhe trofeun e dytë. Mendoj se do të jetë një finale, ku është e vështirë të parashikosh rezultatin. Por, ne do të japim maksimumin tonë, për të përmbushur synimin tonë, që do të jetë vetëm fitorja”. Më pas shefi i klubit bardheblu ka komentuar edhe paraqitjen e skuadrës në ndeshjen derbi. Ajo që ka lënë të kuptohet nga prononcimi i tij, ka të bëjë me faktin se drejtuesit e këtij klubi kanë mbetur të kënaqur me nivelin e lojës së paraqitur në këtë ndeshje, ku ndër të tjera, golat e shumtë kanë dhuruar kënaqësi për publikun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›