FSHF, Disiplina “shënjestron” Patushin
03/05/2005 Një lojë e mirë në derbin me Partizanin, e ka bërë Tiranën të vjelë frytet e saj në fund të 90 minutave. Tri pikët dhe golat e shumtë në këtë ndeshje, jo vetëm kanë kënaqur drejtuesit e klubit, trajnerin dhe tifozërinë, por kanë afruar akoma më pranë titullin kampion. Por, gjatë kësaj ndeshjeje janë vënë re dhe disa episode. Një ndër ta ishte dhe dueli, Patushi-Bakaj, ku nuk ka munguar një gjest antisportiv i mesfushorit të Tiranës, ndaj të riut, që ishte i rreshtuar në radhët e kundërshtarëve. Dhe pikërisht ky gjest, duket se do t’i kushtojë shtrenjtë vetë Patushit. Kjo, për faktin se ajo ç'ka është parë të shtunën në fushë, do të jetë dhe një nga çështjet që pritet të shqyrtojë të mërkurën, Komisioni i Disiplinës. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur një burim brenda Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka shtuar se mesfushori matjan rrezikon pezullimin nga aktiviteti dhe si rezultat mund të jetë një nga mungesat e të shtunës, për ndeshjen përballë Teutës.