Mbushet infermieria e bluve
03/05/2005 Stafi mjekësor i Dinamos ka punuar me mbingarkesë këtë fillimjave. Përveç të dëmtuarve nga javët e kaluara, Alban Bushi e Fall Pape, në listën e infermierisë janë shtuar edhe Ilir Qorri, Ligor Tiko e Olgert Stafa. Qorri ka pësuar një tërheqje muskulare në ndeshjen e së shtunës, kundër Laçit dhe është bërë ndërrim që në minutën e 20-të. Duke filluar që nga dita e djeshme, mesfushori dinamovit do t’i nënshtrohet një terapie intensive, për t’u rekuperuar në kohë, për ndeshjen e radhës kundër Lushnjës. Tiko nuk ka ndonjë problem për t'u shqetësuar. Sulmuesi korçar ka pasur problem me këpucët në ndeshjen e së shtunës dhe ato i kanë krijuar një plagë të lehtë, e cila e shqetësonte që të merrte pjesë rregullisht në seancën e sotme stërvitore bashkë me grupin, kështuqë ai kreu një seancë të diferencuar. Ndërsa, problemi i Stafës është më serioz. Sulmuesi i ri është dëmtuar në kavilje në ndeshjen e përfaqësueses kuqezi U-19, kundër Polonisë dhe nuk dihet akoma periudha e rekuperimit. Një përmirësim të dukshëm ka pasur ditët e fundit Alban Bushi. Sulmuesi i mirënjohur ka punuar intensivisht me nga dy seanca në ditë, në drejtimin e përgatitësit fizik të bluve, Stefano Neri dhe tashmë gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Nëse përmirësimi i sulmuesit të bluve vazhdon me këtë ritëm, ka shumë mundësi që të luajë kundër Lushnjës, të paktën për disa minuta. Kurse, senegalezi Fall Pape, është akoma në fazën e trajtimit mjekësor dhe kryen vetëm ushtrime në palestër. Nuk dihet akoma, nëse mesfushori afrikan do të jetë në gjendje që të aktivizohet kundër Lushnjës.