E Hënë, 2 Nëntor 2026

Milan, nis java e "zjarrit"

03/05/2005  Skuadra kuqezi do të përballet nesër me PSV Eindhovenin, ndërkohë që të dielën do të presë Juventusin

Pas shumë fjalësh e parapërgatitjesh, ka ardhur momenti i shumëpritur i “larjes së hesapeve” për Milanin. Pikërisht java që sapo ka filluar është vendimtarja për kuqezinjtë, me dy ndeshje që vlejnë sa një sezon. Të dielën do të jetë “finalja” e kampionatit, me Juventusin, që mund të vendosë përfundimisht garën spektakolare që ka karakterizuar këtë sezon të Serisë A. Por më parë duhet arritur një finale e Ligës së Kampioneve, që vlen po aq sa ndeshja me Juventusin, ose ndoshta edhe më shumë. Pra, në shtatë ditë Milani do të zgjedhë rrugën që të çon në “parajsë”, apo në “ferr”. Kjo javë është mjaft e ngarkuar psikologjikisht për kuqezinjtë, sepse do të udhëtojnë drejt Holandës, por duke pasur në mendje edhe Juventusin. Gjërat duhen marrë me radhë, si thotë shpesh trajneri Ançeloti, sepse ndeshja kundër PSV - së është tepër e rëndësishme për t’i lënë gjithë vëmendjen përballjes me “Zonjën e Vjetër”. Në krahasim me ndeshjen e parë, Ançeloti do të ketë në dispozicion edhe Alesandro Nestën, që e ka kryer dënimin prej një ndeshjeje dhe mund të marrë vendin e Kafusë, i cili duhet të shlodhet për supersfidën me Juven. Pra, mbrojtja do të përbëhet nga ish-kapiteni i Lacios dhe Maldini në qendër, ndërsa nga krahët do të luajnë Kaladze e Stam. Edhe në mesfushë nuk priten surpriza, duke qenë se është i sigurtë rikthimi i Andrea Pirlos, i cili u la në stol në ndeshjen me Fiorentinën, por tregoi gjithë rëndësinë që ka për skuadrën në ato pak minuta që u fut. Mesfushori i talentuar, i cili sapo është riaftësuar nga një dëmtim në gju, nuk mund t’i përballojë akoma 90 minutat, por do të jetë me siguri që nga minuta e parë, për t’i lënë vendin mëvonë Rui Kostës, gjithmonë nëse gjërat do të ecin sipas parashikimeve. Pranë organiztorit kuqezi, do të jenë edhe Gatuzo, Sedorf e Kaka, ndërkohë që në sulm do të ripropozohet dyshja Shevçenko - Krespo. Megjithatë, nuk është për t’u përjashtuar edhe skema me një sulmues, duke parë formën jo të mirë të Krespos e Tomasonit, që do të bënte të luante Rui Kosta që nga fillimi, me Shevçenkon të vetëm përpara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›