Bunjaku i bashkohet ekipit

Albert Bunjaku i është bashkuar grupit të futbollistëve të Nurnbergut për herë të parë të martën, pas lëndimit të rëndë të pësuar në gju, i cili e la jashtë fushës rreth shtatë muaj. “Ishte zbavitëse, shkoi mjaft mirë”, ka thënë fillimisht sulmuesi kosovar për ueb faqen gjermane nordbayern.de.
27 vjeçari e pranon se ishte emocionuese stërvitja e parë me ekipin. Mirëpo, ai planifikon të ushtrojë fort në ditët e ardhshme, në mënyrë që të shijojë një apo dy ndeshje në fund të sezonit. “Ishte sensacionale. Normalisht, kisha paksa frikë, por kjo kalon me kohë”, vazhdoi ai.
Bunjaku është ndier mirë kur është duartrokitur nga bashkëlojtarët para se t’u rikthehej stërvitjeve me skuadrën, të cilën nuk e kishte bërë nga muaji shtator, kur e kishte pësuar lëndimin e rëndë duke dëmtuar ligamentet e gjurit.
Gjilanasi po ashtu nuk harron t’i falënderojë të gjithë ata persona që e kanë mbështetur në kohën e rehabilitimit. Trajneri i Nurnbergut, Dieter Hecking, ndihet i kënaqur me rikthimin e Bunjakut, por ai nuk dëshiron ta ngutë përfaqësuesin zviceran. “Tash ai ka mundësi të bëjë lëvizje të tjera në krahasim me ato të rehabilitimit”, theksoi Hecking.
Pas lëndimit, të cilin e kishte pësuar në ndeshje me Hamburgun, Bunjaku frikësohej se karriera e tij do të përfundonte para kohe, pas vetëm një sezoni të kaluar në Bundesliga, i cili sigurisht ishte më shumë se i suksesshëm.
Po ashtu, sulmuesi kosovar synon të kthehet edhe në Kombëtaren zvicerane, me të cilën mori pjesë në kampionatin botëror ‘Afrika e Jugut 2010’. Bunjaku i përgëzon shokët e skuadrës për lojën që po e shfaqin këtë sezon. Nurnberg gjendet në pozitën e gjashtë të elitës së futbollit gjerman, me 42 pikë.