E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sivjet më cilësore

Edhe këtë vit, Prishtina do të jetë qendër e ngjarjes më të madhe të atletikës në vend – gjysmë-maratonës ‘Prishtina 2011’, e cila do të mbahet më 8 maj. Organizatorët presin garë më cilësore, më të fortë dhe numër më të madh pjesëmarrësish. Fondi i shpërblimeve do të jetë 10.960 euro. Fituesi i kësaj gare do të shpërblehet me 1200 euro, kurse fituesja me 1000 sosh. Nga Express më 31 mars 2011 në ora 12:16

Gjysmë-maratona e Prishtinës pa dyshim është gara më e rëndësishme e vitit në atletikën kosovare. Ky aktivitet do të mbahet edhe sivjet, për herë të 11-të rresht, nën patronatin e Ministrisë së Sportit dhe Federatë së Atletikës të Kosovës (FAK) dhe Drejtorinë për Sport dhe Rini të Prishtinës.

Sipas organizatorëve, gjysmë-maratona “Prishtina 2011” pritet të jetë më e fuqishmja, me cilësi më të mirë se 10 herët e kaluara. Gjysmë-maratona do të mbahet më 8 maj, me fillim në orën 10.00. Shtegu është i gjatë 21 kilometra në relacionin: nga Teatri Kombëtar në Prishtinë, Fushë Kosovë – Kastriot dhe anasjelltas.

“Kjo gjysmë-maratonë do të jetë njëra prej më të mirave, si nga pikëpamja organizative, mendoj edhe në aspektin e cilësisë. Shpresoj se do të marrin pjesë garues nga shtetet e ndryshme të botës. Regjistrimi i pjesëmarrësve fillon më 30 prill dhe zgjat deri më 7 maj në orën 18.00”, ka thënë kryetari i FAK-së, Halil Sylejmani.

Në vitin 2010 ishin pjesëmarrës 536 garues, kurse këtë vit organizatorët presin një numër më të madh. Ndërsa, fondi i shpërblimeve do të jetë 10.960 euro. Shpërblime do ndahen për të gjitha kategoritë. Në konkurrencën e meshkujve, fituesi i gjysmë-maratonës do të shpërblehet me 1200 euro, ndërsa vendi i dytë me 900 euro e i treti 700 euro. Te femrat, fituesja e gjysmë-maratonës shpërblehet me 1000 euro.

Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj, ka thënë se pret një garë të fuqishme. Ndërsa, koordinatori i kësaj gjysmë-maratone, Fatlum Grajqevci ka njoftuar se deri tash rreth 25 atletë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, prej tyre tre garues nga Kenia. Fitues i fundit i gjysmë-maratonës së Prishtinës ishte keniani Nikolas Muimbi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›