Bunjaku pret ditë të mira

Albert Bunjaku i është bashkuar në stërvitje ekipit të Nurnbergut përfundimisht të martën. Sulmuesi kosovar i dha fund pritjes prej pesë javësh, pas lëndimit që e kishte pësuar në gju kah fundi i tetorit, në një ndeshje të Kupës së Gjermanisë.
28 vjeçari e kishte pësuar këtë lëndim jo shumë kohë pasi ishte kthyer nga lëndimi i rëndë, po ashtu në gju, të cilin e kishte pësuar në shtator të vitit 2010. Tash përfaqësuesi zviceran shpreson të mos ketë më probleme fizike dhe ta shfaqë kualitetin e tij në fushë, siç bëri në vitin 2009, kur ishte golashënuesi më i mirë i klubit gjerman me 12 gola.
“Jam i lumtur që u ktheva, nuk mund të kërkoj më shumë se kaq. Mirëpo, shpresoj që kjo periudhë e keqe e lëndimeve më në fund të marrë fund”, deklaroi futbollisti gjilanas për tabloidin gjerman Bild.
Lëndimet e shpeshta dhe të rënda ia rrezikuan edhe karrierën ish futbollistit të Erfurtit. Mirëpo, tash është çdo gjë në rregull dhe ai dëshiron të kthehet i fortë dhe të kontribuojë për ekipin e tij. Bunjaku e ka një objektiv para festave të fundvitit. “Dëshiroj që së paku ta zhvilloj një ndeshje para fundvitit”, vazhdoi ai.
Gjithashtu, ai dëshiron të jetë hero i derbit me Greuther Furthin në ndeshjen e vlefshme për kupë. Datën 20 dhjetor, kur edhe zhvillohet kjo ndeshje, ai e ka nënvizuar me të zezë.
“Për shënuesin më të mirë të sezonit 2009/10, siç isha unë, është e vështirë të mos shënojë gola, por titulli ‘heroi i derbit’ është ende i lirë. Kjo ndeshje do të jetë e veçantë”, vijoi ai. Nurnbergu shpreson që shumë shpejt ta gjejë ‘Bum, Bum, Bunjakun’ e dikurshëm.