Përballë krimit dhe korrupsionit që vazhdon të pengojë përparimin
Nga Myhejan Gashi
Në konteksin e zhvillimit të performancës të sigurisë publike dhe kombëtare të një vendi ndër përparësitë kryesore janë: kontrolli menaxhimit të integruar të kufirit, lufta kundër krimit të organizuar në nivel kombëtar dhe transnacional, lufta kundër terrorizmit, pastrimit të parasë, etj., dhe besimi publikut e partnerëve në burimet njerëzore (personel) të strukturave të rendit e sigurisë, nëse ato prodhojnë vërtetë siguri dhe garantojnë siguri për partneritet integrues.
Duke u ndalur në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit çështjet e mësipërme kanë nënvizuar ato që më e pakta mund të quhen vlerësime amerikane të periudhës për shtetin dhe politikën shqiptare, pavarësisht se na pëlqen apo jo, ose më mirë u pëlqen apo jo pushtë-shtetarëve dhe zhonglerëve politikë që na drejtojnë e udhëheqin.
Konkretisht aty ndër të tjera vlerësohet se: ... “Portet, kufijtë jo shumë të ruajtura tokësore, së bashku me një polici dhe dogana të financuara e menaxhuar keq dhe me mangësi në pajisje, e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmueshëm transit për trafikantët që transportojnë droga në Evropën Perëndimore.”...
“Një nga problemet e hasura lidhur me ndihmën në kualifikim,është politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes që sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit,bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranizicioneve politike.
Ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Mes viteve 2005-2006, pothuajse 90 për qind e shefave të pikave kryesore kufitare u transferuan ose u zëvendësuan. Në shumë raste, personeli i ri nuk kishte përvojë të mëparshme, kualifikimin e duhur, apo një ide të qartë të funksionimit të kufirit” ...
“Duke qenë një vend transit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës së qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave” ...
“Kriminelët investojnë para të pista në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. Të ardhurat që sigurohen me rruge kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet”...
“Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana”...
“Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare.”...
Pra të njohurat dhe të “panjohurat” publike të Shqipërisë nënë, na i ditkan mirë dhe evidentojnë e peshojnë edhe aleatët tanë strategjike, pavarësisht se ne, pushtë-shtetarët dhe politikanët tanë mundohen tu veshin vello sipas shijes përfaqësuese politike, ca të “bardhë” e ca “të zezë”, një pale nuse e tjetra murgeshe-kallogre, gjithsesi ato janë realitetet tona, të prodhuara dhe administruara nga vet ne (krimi i organizuar dhe pushtë-shtetaro politika). Është për të ardhur keq se si ky shqetësim dhe problem madhor për të sotmen dhe të ardhmen euroatlantike të vendit, tentohet të kalohet lehtë, nga ata që janë aktorët dhe faktorët pjesë të kësaj gjendje, kur dëgjon nga foltorja e Kuvendit Zëvendëskryeministrin që ndër të tjera me një notë “naivitet” të shprehet:..“Të dhënat e shfrytëzuara prej tij janë kryesisht prej organizatave jo qeveritare.” Pra nga matësi demokracisë reale.
Sigurisht që prej atyre do jenë, sepse sipas qeveritarëve e qeverisë në vendin tonë çdo gjë shkon fjollë-rozë ose siç e duan qeverisësit tuaj për vetveten jo për të tjerët dhe këtë amerikanët e nënvizojnë shumë mirë në të, sepse ata vetë kanë të tjera koncepte për shtetin dhe pushtetin ekzekutiv, si shërbim demokratik dhe barabartë për qytetarët e tyre, me administratën e tyre-civile të fortë, jo politikë mediokre si kjo e sotmja në Shqipërinë tonë të shtrenjtë, për ne që kemi majën e lapsit, për ata që vjelin pushtetin me mashtrim ndaj votueseve, tjetër gjë.
Është detyrë e shtetarëve të ndershëm dhe politikanëve vizionarë që ti identifikojnë e veçojnë nga jeta publike bartësit e dukurive të raportit sot, për mos tu veçuar vet ata nga vota popullore nesër.
Politikës së mashtrimeve, korruptive dhe të ndërtuar mbi patericat e krimit të organizuar edhe nga votuesit shqiptar nëpërmjet ndihmës për vigjilencë të herë pas hershme të aleatëve tanë, sidomos atij kryesor SHBA (të shqiptarëve dhe Shqipërisë) komunitetin doemos që e ndërgjegjëson për të kërkuar e mbrojtur sigurinë e vetes, luftuar të keqen e larguar bartësit e saj nga pushtë-shtetarët, në mbrojtje dhe zhvillim të të drejtave, për një jetë më të mirë, më të sigurt dhe në partneritet të barabartë të konsumimit të vlerave demokratike të lirisë universale njëlloj për të gjithë, që ajo të prodhojë siguri.
Këto duhet t’i ketë mirë parasysh edhe opozita, pasi një shuplakë e fortë që i jepet qeverisë, e cila sipas saj, nuk po përmbush premtimet e bëra-sot ky është fakt, ka mbarsje edhe nga e shkuara kur vet ajo ishte në pushtet, prandaj kur opozita flet për dështim, sipas tyre, të punës së policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, duhet të mendoj dhe ofroj alternativa për ndryshim të gjendjes sot dhe kur ajo të marrë pushtetin mos të bëj të njëjtat gabime (sigurisht që çmilitarizimin politik të administratës, veçanërisht të policisë e strukturave të depolitizuara, duhet ta ketë prioritet të prioriteteve - këtë duhet ta kenë mirë parasysh edhe të vonuarit e sotëm).
Për mos të qenë nihilistë, duhet pranuar e vlerësuar edhe reagimi objektiv i ministrit Bujar Nishani duke pranuar se mbetet ende shumë për të bërë, se .... “Raporti ka një përmirësim të dukshëm në vlerësimet e tij për Shqipërinë, krahasuar me ato të viteve më parë.” Besoj se ky është ogur i mirë për të shpresuar për ndryshim.
Po nëse ky është konstatim vetëkënaqësie ose thënë ndryshe opium për vetveten për Ministrinë e Brendshme që më shumë se kushdo tjetër ka përgjegjësi për ndryshimin e gjendjes, nëpërmjet analizave të gjera dhe të shtrira deri tek përgjegjësitë dhe individët përgjegjës, veçanërisht në menaxhimin e kufirit, hetimin e krimit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikut të paligjshëm, kontrabandës dhe korrupsionit, burimet njerëzore (personeli) shoqëruar kjo edhe me masat e nevojshme administrative.
Dihet që do ketë vështirësi në këtë ndërveprim, por duke menduar se na duhet më shumë Shqipëria se militantizmi politik e nuk duhet ngurruar nga Ai apo ata për ta bërë detyrën ndryshe nga paraqenësit – vetëm konform standardeve euroatlantike.
Personalisht nuk mendoj se ka pengesa objektive përveçse në mendjet e politizuara të eununukëve politikë dhe atyre pseudo-profesioniste (me shumicë) për mbijetesë individuale dhe klanesh.
Në mbyllje nuk mund të lë pa shprehur edhe ndjeshmërinë e institucioneve amerikane për investimet në burime njerëzore, trajnimin e tyre dhe rrallimin e përditshëm nga administrata e veçanërisht nga menaxhimi i saj, kur ky fenomen në disa raste ka shërbyer për ti zëvendësuar të trajnuarit nga SHBA nga persona vetëm së gjatë periudhës verë 96 deri në pranverë 98 shanin SHBA dhe strukturat e sigurisë së saj që për një sy të stërvitur mesazhet janë nënvizuar rast pas rasti me diplomaci-monitoruese.
Nëse ka shqetësim nga ndonjë institucion në lëndë për këtë le të krahasojnë listë-trajnimet, listë-reformën apo transferimet pa shkak me shtypin e periudhës në fjalë, kronikat radio-televizive dhe funksionet e pa merituara dhe aspak profesionale që u janë dhënë një kategorie të tillë, në kundërshtim flagrant me ligjin e kohës, por nuk duhet të befasohemi se implementimi që po i bëhet ligjit të ri të policisë dhe gradave të reja në funksion të tij të jetë prapë një rast flagrant, mosfunksionimi ligjor.
Kjo është e patolerueshme sikundër ti bësh qejfin vetes përballë krimit dhe korrupsionit që vazhdon të pengojë përparimin e vendit dhe për këtë të kënaqesh me luge të zbrazët apo injorosh konkluzionet e paraqitura për ndryshim nga aleati më i madh dhe i sigurt i shqiptarëve dhe Shqipërisë në botë, aq sa është utopi, është edhe aventurë (edhe heshtja e mosveprimi për ndryshim është i barasvlershëm).
Të shpresojmë se mendjet e shëndosha në qeverisje dhe opozitë do rikuperojnë gabimet dhe kohën e humbur në pritje të ndryshimeve të mëdha për aderimin e pritshëm të Shqipërisë në NATO e më pas në Europë si pjesë e saj, e kundërta padyshim do jetë njollë e rendë e politikës së saj që nuk meriton as më të voglin justifikim veç të hesht duke ndryshuar e përparuar me standarde drejt standardeve.
Prandaj të përfshihemi në dëshirën mbarë popullore e shpresojmë kahjen pozitive të proceseve në vijim, për të mirën tonë, sepse të tjerët të tregojnë eksperiencat rrugën, por nuk të dhurojnë atë që vet duhet ta fitojmë.
5 Mars 2008