PBDNJ në reformën zgjedhore midis “Shillës” dhe “Karribdës”
Nga Loreta Boti
Në debatin për reformën zgjedhore në Shqipëri, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule është shprehur se sistemi aktual zgjedhor është i mirë, por duhet zbatuar ashtu siç duhet.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ishte e pranishme në tryezën e partive të vogla për reformën zgjedhore ku u kundërshtua plani i dy partive të mëdha, PD dhe PS, për sistemin zgjedhor proporcional rajonal.
Edhe këtu Vangjel Dule bëri të njëjtën deklaratë, dhe më në fund u shpreh dakord me një propozim të Aleancës Demokratike, që në thelb është për ruajtjen e sistemit aktual, me një tendencë për t’ u barazuar numri i deputetëve që del nga zonat njëemërore, me atë që del nga lista shumëemërore.
Me këtë qëndrim Vangjel Dule tregon se është një politikan joserioz dhe se PBDNJ nuk është një parti serioze. Në rast se sistemi aktual, që është mazhoritar i korrektuar është i mirë, siç thotë Vangjel Dule, atëherë përse PBDNJ nuk arrin që prej vitit 1996 të fitojë në mazhoritar, as në Dropull dhe as në Vurg, në zonat e njohura zyrtarisht si të minoritetit grek? U bënë tre palë zgjedhje parlamentare që PBDNJ nuk arrin të fitojë as në zonat e njohura e njohura zyrtarisht si të minoritetit grek. Vetë Vangjel Dule, pasi humbi në 2001 në Dropull, nuk konkurroi më në mazhoritar, si kandidat për deputet, dhe doli si deputet nga Mega-Dushku.
Vangjel Dule dhe PBDNJ nuk mund të pretendojnë as se kjo ndodh për shkak të vjedhjes së votës nga partitë e mëdha, se Dules dhe të tjerëve që kanë qenë deputetë të PBDNJ ua kanë dhënë votën dushkore partitë e mëdha, dhe në sajë të saj janë bërë deputetë. Nuk kuptohet se çfarë logjike ka Vangjel Dule kur thotë se sistemi aktual zgjedhor është i mirë, por duhet të zbatohet si duhet.
Në rast se sistemi do të zbatohet si duhet, pra pa “Dushk”, e Mega-Dushk, atëherë Vangjel Dule nuk do të ishte bërë deputet as në 2001 dhe as në 2005. Dhe jo vetëm Vangjel Dule por asnjë nga deputetët e tjerë që ka pasur PBDNJ në këto zgjedhje.
Vangjel Dule ka dështuar në mënyrë skandaloze në krye të PBDNJ në dy palë zgjedhje parlamentare, se edhe në zgjedhjet e vitit 2001, për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore të kryetarit të asaj kohe, Vasil Melo, fushatën e PBDNJ në jug e drejtoi Vangjel Dule, pasardhësi i Vasil Melos në postin e kryetarit të partisë.
Nuk kuptohet se çfarë pret Vangjel Dule nga një sistem zgjedhor si ai që u propozua në tryezën e partive të vogla, me gjysmën e vendeve që dalin nga mazhoritari dhe gjysmën e vendeve që dalin nga proporcionali, kur është vërtetuar se PBDNJ nën drejtimin e Vangjel Dules nuk është e aftë të fitojë as në proporcional, as në mazhoritar, qoftë edhe me pragun aktual zgjedhor prej 2.5%. Gjëja më absurde është se Vangjel Dule kundërshton sistemin zgjedhor proporcional rajonal, të propozuar nga dy partitë e mëdha, kur dihet se ky sistem zbatohet në vende federale, në dobi të minoriteteteve. Vangjel Dule duhet të ishte i pari që duhet ta kërkonte sistemin zgjedhor proporcional, derisa partia e tij paraqitet me pretendimin për të përfaqësuar politikisht minoritetet e ndryshme që janë në Shqipëri, dhe jo vetëm atë grek.
Është me siguri një rast unik në botë që një parti politike që paraqitet me pretendimin e përfaqësimit politik të minoriteteve të kundërshtojë sistemin zgjedhor proporcional rajonal.
Kjo është prova më e mirë se PBDNJ nuk përfaqëson interesat as të minoritetit grek, as të minoriteteve të tjera, por vetëm interesat e një klani rreth Vangjel Dules, që bën flirte me partitë e mëdha që ndërrohen në pushtet në Shqipëri për të marrë prej tyre poste dhe privilegje abuzive.
Cilido sistem zgjedhor që të dalë nga reforma zgjedhore, qoftë ai që propozojnë partitë e vogla, dhe që e ka miratuar PBDNJ, qoftë ai që kërkojnë dy partitë e mëdha, PBDNJ gjendet si mes “Shillës” dhe “Karribdës”, se në të dy këto sisteme zgjedhore eliminohet “Dushku”, me të cilin PBDNJ vegjeton në politikë që nga viti 2001.
Kështu që reforma zgjedhore mund të çojë në zhdukjen e PBDNJ si parti parlamentare. Fakti që lidershipi i PBDNJ quan si sistemin zgjedhor më të mirë, atë sistem me të cilin ka dështuar kjo parti në zgjedhje, do të thotë se Dule dhe klani i tij pranojnë dështimin e tyre.
Në këto rrethana, gjëja më e mirë që mund të bëjnë ata është të japin dorëheqjen, para se ta çojnë partinë nga humbja në katastrofë.
5 Mars 2008