E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patologjitë e pranverës, si mund t’i parandaloni

Regjimi ushqimor që parandalon dhe përballon këto probleme. Sindroma pranverore dhe pagjumësia pranverore, dy problemet më shqetësuese të kësaj stine
Ardhja e pranverës për shumë persona shoqërohet me apati, lodhje, dobësi e përgjithshme trupore, mungesë oreksi etj. Simptoma këto që në popull i atribuohen të ashtuquajturës “periudhë e ndërrimit të gjakut”. Me poshtë ju do të njiheni se cilat janë shkaqet në të vërtetë, si mund të trajtohen dhe parandalohen këto probleme. Periudha e ndërrimit të stinëve dhe ardhjes së pranverës në popull njihet si periudha e ndërrimit të gjakut. Por sipas mjekëve, ky është një përkufizim krejtësisht i gabuar. Nuk është e vërtetë që ndërrohet gjaku, pasi ai nuk mund t’i nënshtrohet një procesi të tillë. Ai prodhohet nga rruazat e gjakut, të cilat rrojnë mesatarisht 100 ditë. Ato nuk lindin në të njëjtën ditë, ose më saktë nuk prodhohen të gjitha vetëm në dimër, që të vdesin të gjitha në pranverë. Ato ndërrohen vazhdimisht, në mënyrë që të mos krijohen probleme në organizëm nga mungesa e tyre.
Ciklet stinore
Ciklet stinore ndikojnë në organizmin e njeriut. Kjo tashmë është përcaktuar edhe nga studime të ndryshme, të cilat kanë arritur të vërtetojnë se ciklet stinore ndikojnë në ritmin biologjik të gjithsecilit prej nesh, duke e detyruar organizmin të përshtatet me ndryshimet klimaterike. Kalimi nga dimri në pranverë shoqërohet me rritje të temperaturave dhe të orëve me dritë dhe me një mënyrë ushqyerjeje ndryshe, gjë që mund të jenë shkaku i luhatjeve të metabolizmit dhe të shfaqjes së stresit fizik. Përveç kësaj, organizmit i duhet kohë për t’u ambientuar me ritmet e reja: nëse në dimër dita zakonisht nis në orën 08:00 dhe mbaron në 19:00, në pranverë mund të zgjasë deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Në këtë periudhë njerëzit shpesh ankohen për dhimbje trupi, dobësi, apati, mungesë përqendrimi etj.
Shkaktarët e problemeve
Ardhja e pranverës shoqërohet me një rritje pak a shumë graduale të temperaturave, që e detyrojnë organizmin, ende të pamësuar, t’i nënshtrohet një pune të madhe në tentativë për të ulur me shpejtësi nxehtësinë që prodhohet nga çdo lloj aktiviteti fizik. Stresi fizik që prek në këtë periudhë një numër të konsiderueshëm personash shpjegohet pikërisht me ketë nevojë të organizmit për të përmirësuar termorregullatorin, në mënyrë që të arrijë të përballojë më mirë luhatjet e temperaturave, tipike për ndërrimin e stinëve. Në kalimin nga dimri në pranverë fiziku do kohë të mësohet me ritmet e punës që detyrohen nga shtimi i orëve me diell, duke shkaktuar stres dhe lodhje. Përveç kësaj, me ndërrimin e stinëve ndryshon dhe mënyra e ushqyerjes, që kalon nga një regjim ushqimor në përgjithësi i pasur me yndyra dhe ushqime kalorike, në një tjetër, të bazuar kryesisht në fruta, perime dhe ujë. Përveç kësaj, temperaturat më të larta mund të jenë shkaktare të humbjes së oreksit dhe ndjesisë së dobësisë. Këto janë arsyet që shpesh në ndërrimin e stinëve, sidomos pas daljes nga stina e dimrit për shkak të një ushqimi të njëtrajtshëm, shfaqet deficit vitaminash që ne e njohim me termin Pellagra, që është një sëmundje që shfaqet me asteni (dobësi të përgjithshme trupore, dhimbje muskujsh), diarre, dermatit nga dielli dhe demencë (plogështi, probleme me përqendrimin, kujtesën etj.).
Patologjitë
Po të pyesësh një fëmijë se cila është stina që i pëlqen më shumë, pa dyshim, me një përgjigje të shpejtë instinktive do të përgjigjet: “Pranvera”. Por shumë pak e dinë se bashkë me “rizgjimin e natyrës” vijnë dhe patologjitë e stinës, që mbajnë po këtë emër. Dy janë ato më shqetësueset: sindroma pranverore dhe pagjumësia pranverore. Të dyja shqetësojnë, megjithëse në sens të ndryshëm nga njëra-tjetra.
Sindroma “Pranvera”
Bëhet fjalë për një tërësi simptomash që variojnë nga një lodhje e thjeshtë fizike deri në një gjendje serioze që mund të prekë trupin dhe mendjen. Është karakteristikë e pranverës. Sipas statistikave, prek 70 për qind të grave, përkundrejt vetëm 30 për qind të meshkujve. Kjo sindromë mund të jetë pasojë e dritës së diellit, e cila “rizgjon” gjëndrat endokrine të organizmit, duke rritur aktivitetin e tyre. Kështu, trupi shpenzon më shumë energji për t’u përshtatur dhe për pasojë lodhet më shumë. Gjithashtu, mund të varet nga akumulimi me tepri i toksinave gjatë stinës së dimrit. Kjo bën që të ulet puna e mëlçisë, veshkave dhe zorrëve, të cilat janë dhe organet që “kanë për detyrë” pastrimin e organizmit. Puna e këtyre organeve ndikohet dhe nga stresi, një mënyrë e gabuar e të ushqyerit, si dhe nga një stil jete sedentare. Përpara se të nxitoni të merrni ndonjë ilaç, çdo simptomë duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të një specialisti. Për të rimarrë forcat duhet bërë një kurë detoksifikuese dhe pastruese, duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, si dhe duke përmirësuar cilësinë e mënyrës së jetesës. Por nëse lodhja dhe ndjesia e të qenit keq zgjasin në kohë, duhet t’i drejtoheni një mjeku. Sepse pas secilës prej këtyre simptomave mund të shihet një sëmundje organike (si për shembull, një anemi) ose çrregullime me origjinë psikologjike.
Pagjumësia pranverore
Bashkë me kohën e bukur dhe ardhjen e dallëndysheve, nuk vonojnë dhe netët e bardha. Është pikërisht për shkak të ndryshimit të stinës dhe me ndryshimin e ndriçimit që shpesh tortura e pamundësisë për të mos fjetur dot bëhet më shqetësuese. Fatmirësisht, këtu tek ne, si në të gjitha vendet me klimë mesdhetare, problemi zgjidhet brenda pak ditësh dhe vazhdon të godasë vetëm ata që janë të prekur nga shqetësimet e gjumit. Megjithëse jemi në fillim të pranverës, e cila ende në këtë fillim mars ndihet e pasigurt nëse duhet të vijë, dëgjon shumë njerëz të ankohen për gjumin jo të qetë, edhe pse pjesa më e prekur janë të moshuarit dhe gratë në menopauzë. Po kështu nga bisedat e shumta del se janë shumë të paktë, deri në shpërfillje, ata që mendojnë t’i drejtohen një specialisti. Një nga arsyet është frika e krijimit të varësisë ndaj qetësuesve. Në fakt, pagjumësia duhet konsideruar si një sëmundje e vërtetë prej së cilës të shërohesh. Nga ana tjetër, kush fle pak dhe keq ka probleme me përqendrimin dhe efikasitetin në punë gjatë ditës. Statistikat tregojnë që ka gjasa të sëmuren dhe më shpejt. Kjo pasi kortizoli, i cili është hormoni që mbron organizmin tonë, prodhohet më shumë gjatë gjumit të thellë.

Regjimi ushqimor
Që të parandalohen dhe përballohen sëmundjet e pranverës nevojitet një regjim ushqimor i balancuar dhe i pasur me karbohidrate, yndyra dhe proteina. Por, mbi të gjitha, këshillohet që në regjimin ditor të gjithsecilit të shtohen vitaminat dhe magnezi që i falin energji organizmit dhe e bëjnë të përballojë me mirë ndryshimet klimaterike. Kështu, përsa u përket proteinave, rekomandohen ato bimore që gjenden te fasulet, soja dhe thjerrëzat, ndërsa ato shtazore te mishi i viçit dhe i derrit, por dhe te peshku. Ndërsa për yndyrat, më të mirat janë ato që gjenden te vaji i ullirit, i misrit, i sojës dhe i lulediellit. Ndërsa përsa u përket vitaminave, burimi më i mirë i tyre janë perimet dhe frutat e freskëta të stinës.

Vitaminat aleate të shëndetit
Vitamina B1
Drithërat, mëlçia, mishi i derrit, fasulet, arrat, orizi, majaja e birrës, soja.
Vitamina B2
Majaja e birrës, mëlçia, arrat, orizi, bizelet, fasulet, veza, qumështi.
Vitaminat e grupit B bëjnë të mundur transformimin e ushqimeve në energji dhe lejojnë trurin, nervat dhe muskujt të funksionojnë rregullisht, përveçse ndihmojnë në prodhimin e rruazave të kuqe. Rol tjetër i rëndësishëm i këtyre vitaminave është aktivizimi i enzimave që mbështesin punën e sistemit imunitar.
Vitamina C
Agrumet, specat e kuq, lulelakra, qepët, spinaqi, kivi, frutat e pyllit. Mbron enët e gjakut, pengon hemorragjitë e lëkurës e mukozave, është mjaft i mirë për të mbrojtur nga virozat.
Vitamina A
Të gjitha perimet me ngjyrë të verdhë dhe portokalli si karotat, domatet, portokallet, banania, kungujt, patatet, hudhra. Lufton hipertensionin, mbron mushkëritë, ndihmon shikimin, pengon plakjen e qelizave dhe mbron lëkurën dhe mukozat.

Simptomat
Ndjesi e përgjithshme e të ndjerit keq
Lodhje e tepruar
Sfilitje fizike dhe mendore
Nervozizëm dhe iritim
Probleme me tretjen
Pagjumësi
Depresion
Alergji

Studimi

Dieta natyrore lufton kolesterolin
Një dietë natyrore e bazuar te perimet dhe frutat e freskëta është arma më e mirë kundër kolesterolit. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip studiuesish të Universitetit të Torontos, i publikuar në “Journal of the American Medical Association”. Për disa javë 46 persona i janë nënshtruar një diete të varfër me yndyrë, ndërsa 14 të pasur me yndyrë. Grupi i parë ka treguar një ulje prej 28.6 për qind të kolesterolit. Duket se përfundimi i këtij studimi do të ndikojë mjaft në përmirësimin e jetës së personave që vuajnë nga nivelet e larta të kolesterolit në gjak. Bëhet fjalë për një regjim vegjetarian, mes të tjerash të pasur me ushqime që përmbajnë fibra, vaj ulliri, mandarina dhe oriz.

Përgatiti: JONIDA TASHI

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›