Burg me afat, plagosën shefin e tavernës
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “30 ditë në burg” për katër të rinjtë nga Laçi e Puka, të akuzuar për tentativën e vrasjes me thikë në bashkëpunim të 24 -vjeçarit laçian, Bledar Sefa. Ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë më parë në mjediset e një taverne në kryeqytet te Unaza e Re, ndërsa pas saj policia vuri në pranga katër të rinjtë Ermal Leka 31 vjeç e Zef Marku 24 vjeç nga Lezha si dhe dy pukjanët Mariglen Cina, po 24 vjeç dhe Ervis Marashi 18 vjeç. Shkak për vendosjen e një mase të tillë, ishte fakti se dy prej të pandehurve morën përsipër fajësinë duke përjashtuar dy të tjerët nga ngjarja. Duke u nisur nga ky fakt, Prokuroria i kërkoi gjykatës masën e sigurisë 30 ditë burg për të pandehurit, kohë gjatë të cilës pritet përmirësimi i shëndetit të të dëmtuarit, në mënyrë që t’i krijohet mundësia për të bërë një ballafaqim mes tij dhe katër të pandehurve. Kjo sipas Prokurorisë do të ishte provë deçizive për të sqaruar ngjarjen dhe për të plotësuar dosjen hetimore të këtij krimi. Vetë të pandehurit Leka dhe Marku dhe mbrojtësit e tyre kërkuan dje lirimin, pasi ishin arrestuar pa prova. fa.ma.