Tryeza e Topit, PD e PS larg dialogut
bledar hotiNë prag të nisjes së negociatave konkrete në tryezën e presidentit dy partitë kryesore të pozitës dhe të opozitës, PD dhe PS ashpërsojnë qëndrimet. Deputeti i PD-së, Ilir Rusmali në konferencën e djeshme për shtyp u shpreh se kreu u PS-së Rama po kërcënon dialogun me protesta. Kryetari i delegacionit të Parlamentit Shqiptar në Asamblenë e KiE, tha se “dua të konfirmoj pikërisht këtë fakt, faktin që kryetari i PS me një interpretim të mbrapshtë, me vullnet të sëmurë, po shtrembëron mesazhin që na vjen nga Asambleja Parlamentare e KE; ai po përpiqet përditë me kërcënim dhe me keqinterpretim të përligjë bojkotin, si i mbështetur në Rezolutën e KiE”. “Asambleja i kërkon zotit Rama dhe PS-së, i kërkon me forcë opozitës të rikthehet në Parlament dhe të marrë pjesë në punimet e veta. Asambleja e KE në Rezolutën e saj në asnjë rrethanë, në asnjë rresht në asnjë fjalë të saj nuk bën lidhje mes dialogut politik me kërcënimin për protesta. Në asnjë rresht të saj në asnjë fjalë të saj, nuk ka mbështetur dhe nuk justifikon protestën”, tha Rusmali. Ndërsa nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Taulant Balla ripërsëriti qëndrimin se kërkesa për hapjen e kutive të votimit nuk është antikushtetuese. “Tashmë për të gjithë shqiptarët dhe për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë është mese e qartë domosdoshmëria e hetimit të plotë të zgjedhjeve. Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Balla. Ai theksoi se kryeministri nuk mund të kapet pas Gjykatës Kushtetuese, pasi “ai i është kundërvënë këtij institucioni dhe asnjëherë nuk ka pranuar fajësinë e 20 atentateve kushtetuese”. “Hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. Bojkoti ynë dhe protestat qytetare janë të vetmit mekanizma demokratikë, në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar”, theksoi Balla. Ndërsa në ditën e sotme pritet që kreu i shtetit Topi të zhvillojë takime me ambasadorët e KE-së dhe të Spanjës, Lohan dhe Montobbio për të diskutuar mbi tryezën politike ndërmjet kryeministrit Berisha dhe liderit të PS-së, Edi Rama.