E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti detar, zbardhet vendimi

 Aristir LumeziZbardhen argumentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan paktin detar me Greqinë. Gazeta ka arritur të sigurojë arsyet juridike, bazuar dhe në Konventën për të Drejtën e Detit të OKB të vitit 1982, sipas së cilës nuk janë zbatuar të gjitha parimet e saj në përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. Përveç mungesës së plotfuqisë së Presidentit, që i mungonte grupit shqiptar negociator në hartimin e kësaj marrëveshje, Gjykata Kushtetuese ka parashtruar dhe një sërë parimesh ndërkombëtare, mbi të cilat mbështeten marrëveshjet e këtij lloji. Në qendër të këtij argumentimi ka qenë vlerësimi i ishujve në përcaktimin e kufirit detar. Sipas këtij argumentimi, ishujt nuk duhen marrë si një referues i fortë për përcaktimin e kufirit. “Në përcaktimin e kufijve, ishujt luajnë një rol të kufizuar, veçanërisht nëse ata janë të pabanuar apo fare pak të banuar. Në disa raste, ata luajnë një rol të vogël apo të kufizuar në përcaktimin e këndit apo të vendosjes së vijës së delimitimit dhe në rastet e tjera ata nuk kanë pothuajse asnjë rëndësi”, thuhet në argumentim. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në argumentimin e saj, në përcaktimet për shkëmbinjtë, shprehet se ata nuk përfitojnë shelf kontinental. “Neni 121 i Konventës për të Drejtën e Detit të OKB të vitit 1982, thotë se ‘shkëmbinjtë të cilët janë të pabanuar apo nuk mund të përballojnë një jetë ekonomike të tyren’ nuk gjenerojnë Shelf Kontinental”, argumenton gjykata. Bazuar në këtë nen, ishujt Bachetta dhe Othonos nuk mund të merren si ishuj që gjenerojnë shelf kontinental, bazuar në nenin 121 të Konventës, pasi janë të pabanuar dhe një jetë ekonomike artificiale, e mbështetur nga një popullatë tjetër në distancë, në mënyrë që të mbahet kontrolli mbi një Shelf Kontinental nuk është i mjaftueshëm. Duke marrë në shqyrtim parimet e ndjekura në marrëveshjen e paraqitur nga qeveria, gjykata argumenton se parimi i ‘baraslargësisë’ në përcaktimin e vijës së kufirit, nuk është më i përshtatshëm në marrëveshje të tilla, pasi ai i përket Konventës së vjetër të vitit 1958, e cila është zëvendësuar me një Konventë të re, të vitit 1982. “Konventa e Detit e vitit 1982 me shumë kujdes, eviton referimin e “baraslargësisë” që bazohej në Konventën e vjetër mbi Shelfin Kontinental dhe Konventën mbi Detin Territorial dhe Zonën Vijuese e vitit 1958, si parim më pak i përshtatshëm. Në vend të tij ofron përmes neneve 74(1) dhe 83(1) një formulë të ndërtuar me shumë kujdes që jep vetëm të dhëna delikate në lidhje me mënyrën sesi duhen zgjidhur konfliktet”, shprehet në argumentimin e saj Gjykata Kushtetuese. Në vendimin e saj sillen shumë parime të përdorura dhe në raste të ngjashme të përcaktimit të kufijve detarë mes vendeve.  “Një nga elementët thelbësorë të “parimit të drejtësisë dhe paanshmërisë” është ai që ishujt nuk kanë të njëjtin kapacitet me tokën kontinentale për të gjeneruar zona detare. Edhe nëse një ishull gjykohet se ka mundësi të gjenerojë zonë të zgjeruar detare, ai nuk mund të ketë forcë të barabartë me një zonë kontinentale apo me një ishull më të madh”, thuhet në argumentet e Gjykatës Kushtetuese. I gjithë argumentimi i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugë rinegociimit të marrëveshjes kufirit detar me Greqinë, vetëm mbi bazën e vendimeve dhe precedentëve të njohur të bazuar vetëm në Konventën për të Drejtën e Detit të OKB të vitit 1982 dhe pasi grupi negociator të ketë marrë plotfuqinë e Presidentit të Republikës. Argumentet e Gjykatës KushtetueseNë përcaktimin e kufijve, ishujt luajnë një rol të kufizuar, veçanërisht, nëse ata janë të pabanuar apo fare pak të banuar. Në disa raste, ata luajnë një rol të vogël apo të kufizuar në përcaktimin e këndit apo të vendosjes së vijës së delimitimit dhe në rastet e tjera ata nuk kanë pothuajse asnjë rëndësi.Pretendimet për zona detare të bazuara në shkëmbinj që mbulohen nga uji, edhe sikur mbi ta të jenë ndërtuar struktura artificiale, nuk janë të vlefshme.Neni 121 i Konventës për të Drejtën e Detit të OKB të vitit 1982, thotë se “shkëmbinjtë të cilët janë të pabanuar apo nuk mund të përballojnë një jetë ekonomike të tyren” nuk gjenerojnë Shelf Kontinental.Ishujt Bachetta dhe Othonos nuk mund të merren si ishuj që gjenerojnë shelf kontinental, bazuar në nenin 121 të Konventës, pasi janë të pabanuar dhe një jetë ekonomike artificiale, e mbështetur nga një popullatë tjetër në distancë në mënyrë që të mbahet kontrolli mbi një shelf kontinental nuk është i mjaftueshëmJo gjithmonë vendet duhet të deklarojnë një det territorial prej 12 miljesh detare përreth brigjeve dhe ishujve të tyre. Neni 300 i Konventës, i titulluar “Mirëbesimi dhe abuzimi me të drejtën” u kujton vendeve se ata nuk duhet të paraqesin pretendime në këndvështrim të Konventës, të tilla që imponojnë një barrë të papranueshme mbi kombet e tjera.Konventa e Detit, e vitit 1982 me shumë kujdes, eviton referimin e “baraslargësisë” që bazohej në Konventën e vjetër mbi Shelfin Kontinental dhe Konventën mbi Detin Territorial dhe Zonën Vijuese e vitit 1958, si parim më pak i përshtatshëm. Në vend të tij ofron përmes neneve 74(1) dhe 83(1), një formulë të ndërtuar me shumë kujdes që jep vetëm të dhëna delikate në lidhje me mënyrën sesi duhen zgjidhur konfliktet.Konventa e Detit e 1982 përcakton se “delimitimi i zonës ekskluzive ekonomike dhe i shelfit kontinental ndërmjet shteteve me brigje përballë apo afërndenjës, duhet përcaktuar me marrëveshje, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, siç i referohet neni 38, i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e drejtë” Ka shumë parime që kanë çuar në gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe të paanshme për konfliktet kufitare. Një nga elementët thelbësorë të “parimit të drejtësisë dhe paanshmërisë” është ai që ishujt nuk kanë të njëjtin kapacitet me tokën kontinentale për të gjeneruar zona detare. Edhe nëse një ishull gjykohet se ka mundësi të gjenerojë zonë të zgjeruar detare, ai nuk mund të ketë forcë të barabartë me një zonë kontinentale apo me një ishull më të madh.Për të arritur në zgjidhje sa më të drejta në raste të tilla konfliktesh Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkon në radhë të parë përcaktojnë listimin e ishujve për të kuptuar rolin që ata luajnë në përcaktimin e kufijve.Proporcionaliteti i brigjeve duhet të merret në shqyrtim për të përcaktuar nëse delimitimi i kufirit detar është i drejtë dhe i paanshëmDelimitimet e kufijve detarë do të udhëhiqen nga vlerësimet gjeografike ndërsa vlerësimet jo gjeografike vetëm me raste do të kenë rëndësi.Parimi i moscenimit, shprehet qartë nga neni 7(6) i Konventës së Detit i cili thotë se asnjë shtet nuk mund të përdorë një sistem të vijave të drejta bazë “në një mënyrë të tillë që të ndërpresë detin territorial të një shteti tjetër që nga deti i hapur apo nga zona ekonomike ekskluziveParimi i arritjes maksimale; përcakton se asnjë dhënie apo vendim nuk ka pasur efektin e ndërprerjes totale të aksesit të një pale drejt detit në çdo zonë, duke njohur që edhe vendet jo të avantazhuara gjeografikisht kanë të drejtë për burime detare.  çdo vendi pretendues i është dhënë (sadopak) zonë detare. Sipas këtij parimi, kjo qasje duket se është e paevitueshme dhe madje e dëshirueshme nëse nisemi nga qëllimi që delimitimi i kufijve detarë të jetë i drejtë dhe i paanshëm.Tahiri e Gjiknuri  avokatët e PS në KushtetueseDeputeti Sajmir Tahiri dhe Damian Gjiknuri mbrojtën kërkesën e PS-së në Gjykatën Kushtetuese, për paktin e kufirit detar me Greqinë. Në qendër të mbrojtjes së kërkesës së socialistëve, juristët e PS kishin sjellë mungesën e pëlqimit të Presidentit të Republikës grupit negociator, për të bërë këtë marrëveshje. Gjithashtu ata sollën dhe fakte në gjykatë, që vërtetonin se midis dy vendeve ka pasur kufij detarë. Ata sollën dokumente të incidentit në kanalin e Korfuzit, ku Shqipëria pagoi shuma të mëdha për mbytjen e anijeve angleze pas Luftës së Dytë Botërore. Tahiri hodhi poshtë pretendimin e Qeverisë se nuk ka pasur kufi konvencionale mes Shqipërisë dhe Greqisë, që njihej dhe respektohej nga të dyja palët. Për këtë, ai solli rastin e disa protokolleve të nënshkruar mes dy vendeve. Shembulli më i freskët i këtij përcaktimi ishte Protokolli i vitit 1997 “për mbrojtjen efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›