“Përdhunimi”,burg pa afat 38-vjeçarit
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 38 -vjeçarin Besnik Fetahu, i akuzuar për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake, ngjarja për të cilën u vu në pranga 38 -vjeçari ka ndodhur paraditen e së enjtes, javën e kaluar, kur rreth orës 10:00, në Kamzë, në ambientet e një hoteli dyshohet se ka mbajtur forcërisht duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një vajze 20 vjeçe. Për të shpëtuar prej tij, vajza është hedhur nga dritarja e katit të dytë të hotelit, ku ka marrë disa dëmtime të fizike, të cilat nuk kanë mbartur rrezik për jetën, por vajza është dërguar në Spitalin Ushtarak ku ka marrë mjekime. Pas kësaj, policia e mbërritur në vendngjarje ka vënë në pranga 38 vjeçarin, duke ngritur ndaj tij akuzat paraprake “heqje e paligjshme e lirisë” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”. Vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij e mohuan akuzën, ndërsa i kërkuan gjykatës një masë më të lehtë sigurie. Sipas vendimit të Gjykatës 38 -vjeçarit do t’i duhet të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. fa.ma.