E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengesat e rrugës për dialogun

HENRI ÇILI A do te ketë dialog dhe marrëveshje të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës deri në fund të muajit shkurt, i cili shihet si limiti i futjes së opozitës në Parlament për shkak të çështjes së djegies së mandateve? Kjo është pyetja që sundon mjedisin politik, e cila gjen përgjigje kontradiktore po të analizosh aksionin e aktorëve politike të ditës. Ndaj, këto javë jemi duke përjetuar më shumë «variacione mbi temën e dialogut» se sa një proces të vërtetë politik, që do të përfundonte te një tryezë  reale marrëveshjeje qeveri–opozitë, nën arbitrimin e Presidentit të Republikës. Disa pengesa reale për marrëveshjen janë nëpër këmbë deri në realizimin e një marrëveshjeje të re.Pengesën e parë e ka Edi Rama, cili duhet të përgatisë opozitën në tërësi brenda dhe jashtë PS-së, për shanset reale të rezultateve të dialogut, të cilat racionalja e do që të jenë më pak se hapja e kutive dhe në të gjitha rastet, duke përjashtuar një ndërprerje të mandatit të maxhorancës aktuale dhe mandatit të kryeministrit Berisha deri në zgjedhjet e vitit 2013.Thellë–thellë, Edi Rama e di se këto të dyja janë limitet e dialogut me qeverinë aktuale, ndaj ka një barrë të rëndë që të përgatisë opinionin opozitar për këtë. Disa lëvizje të tij, si takimi me gazetarët, ku ai tha shprehimisht se «kutitë nuk janë kusht për dialog, por ne po ulemi në tryezë për të hapur kutitë» si dhe përpjekja për të ndërtuar një «Front për Shqipërinë» që do të thotë zgjerim i bazës përfaqësuese të opozitës tregojnë përgatitje për rrugë të gjatë opozitare. Ndaj, ndërsa përgatit infrastrukturën e dialogut, Rama mban gjithashtu në këmbë infrastrukturën e protestave. Derisa të konsumohet kjo, do të kemi shtyrje të dialogut të vërtetë. Shkurt, ka nevojë për një kohë që opozita të përgatitet për një rezultat tjetër nga ai i shesheve.Nga ana tjetër, Rama nuk ka shumë kohë të presë, pasi marsi po afron dhe ideja që në Parlament mund të futet një grup deputetësh me Blushin në krye, i lë atij pak hapësirë manovrimi, sidomos pak kohë. Ndaj Rama është i detyruar të shkojë drejt dialogut, duke sakrifikuar objektivat maksimale të shesheve apo të tryezave të aleatëve.Pengesa e dytë për dialogun qëndron në krahun e qeverisë, ku  Berisha ka një seri rebusesh për të zgjidhur derisa të lëshojë disa kompromise në drejtim të opozitës. Në radhë të parë Ilir Meta, koalicioni i të cilit me Berishën kondicionon një luftë të ashpër me opozitën. Prania e tij në koalicionin qeveritar, e për më tepër, prania shpëtimtare për ndërtimin e qeverisë së integrimit evropian të vendit, është në radhe të parë dhe të fundit, rezultat i konfliktit Rama–Meta. Ndaj Sali Berisha e ka të detyrueshme të matet mirë para se bëjë një hap a lëshim që vitalizon Edi Ramën si kryetar i opozitës, qoftë edhe si prentendent i ardhshëm për pushtet, nesër.Edhe në drejtim të Presidentit Topi, i dalë nga radhët e PD-së dje, Berisha ka shumëçka për të llogaritur. Sa dhe çfarë roli do t’i lërë Presidentit, a do që ta faktorizojë Bamir Topin në një moment kur ka kaluar gjysma e mandatit të tij dhe ku e ardhmja politike e tij është shtruar për diskutim? Apo i intereson praktikisht një dialog i drejtpërdrejtë me Ramën për të lenë jashtë loje, qoftë rolin e aktorëve të tjerë, si Presidenti apo edhe Ndërkombëtarët? Ky është një variabël tjetër, ku Berisha nuk preferon më të luajë. Duke filluar nga marrëveshja Nano–Berisha 2002, Berisha ka vepruar në kuadrin e një paradigme të re atë “të risovranizimit të hapësirës publike”, që do thotë më mirë e bëj kompromisin vetë, se sa me ndërmjetësinë ndërkombëtare. Sidoqoftë, Berishës i duhet të veprojë shpejt për të normalizuar Parlamentin dhe jetën politike, për t’i hapur rrugën një qeverisjeje normale.Këto pengesa janë në rrugën e dialogut dhe krijojnë një pamje kakofonie. Por ai mbetet rruga me një kalim e kësaj pranvere për Ramën e Berishën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›