E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg pa afat grabitësve të "Uester Union"

18/03/2005  TIRANË – "Jam i qetë. Nuk ka ndodhur asgjë. Në gjykatë kam ardhur kot, sepse djemtë janë të pafajshëm". Abaz Haka u shfaq përsëri në gjykatë pas një periudhe pushimi. Së bashku me djalin e tij, Flamurin, Abazi u gjykua dhe dënua me gjobë për veprën penale të mbajtjes së armëve luftarake. Tashmë është i detyruar të ndjekë fatin e djemve. Dërgohen në burg pa afat tre të pandehurit nga Nikla e Krujës, të cilët një muaj më parë goditën dhe më pas grabitën pronarin e degës së "Uestër Union", Reshit Beja. Dy vëllezërit, Fatbardh e Sazan Haka dhe Kreshnik Dauti, ishin dje të pranishëm para gjyqtares së gatshme, Alkelina Gazidede. Asnjë prej tyre nuk e ka pranuar akuzën e vjedhjes me dhunë dhe goditjes së pronarit të 8 milionë lekëve. Por nga ana e akuzës të përfaqësuar nga prokurori Ben Dollapi, u tha se për të gjithë të pandehurit ekzistojnë prova të pakundërshtueshme. Një nga këto prova që u paraqit në seancën e djeshme të caktimit të masës së arrestit personal, është edhe gjurma e gishtave. Të pandehurit u mbrojtën nga avokatët Vladimir Meçi dhe Sajmir Visha. Sipas avokatëve, Prokuroria nuk ka prova kundër tyre, përveç faktit që ngjarja ka ndodhur dhe është e padiskutueshme. Në kërkim nga policia është vënë edhe i pandehuri Flamur Haka, i liruar nga burgu vetëm pak muaj më parë. Haka ka arritur t'i shpëtojë policisë, por nuk ka mundur të bindë gjykatën me anë të avokatit, për të mos i dhënë masën e arrestit burg pa afat në mungesë. Akuza ndaj të pandehurve është ajo e vjedhjes në bashkëpunim. Pas dhënies së vendimit, avokatët u shprehën se do të apelojnë kundër akuzave ta paqena dhe të formuluara në bazë të opinioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›