Kapen hajdutët minorenë, vodhën 6 qenë race
18/03/2005 Tre hajdutë minorenë janë prangosur dy ditë më parë nga forcat policore të Komisariatit nr.2 në Tiranë, pasi akuzohen për vjedhjen e gjashtë qenve race. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat sqaruan se tre minorenët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një dyqan që tregtonte qen të racave të ndryshme. Sipas burimeve policore, të gjashtë qentë së bashku arrijnë vlerën e 160 mijë lekëve të reja. Tre të arrestuarit me inicialet D.O., 17 vjeç, A.Xh., 16 vjeç dhe F.D., 16 vjeç, me banim në Tiranë, janë me origjinë nga rrethe të ndryshme të vendit, ku edhe kanë lindur. Sipas burimeve të policisë, ngjarja në fjalë ka ndodhur disa ditë më parë në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë, në dyqanin e një qytetari. Tre të rinjtë, duke shfrytëzuar orët e vona të natës, kanë mundur të hyjnë në dyqan dhe kanë marrë gjashtë qen të racave të ndryshme. Por, ata janë diktuar nga persona të ndryshëm dhe nga vetë pronari i dyqanit, të cilët kanë lajmëruar policinë që është vënë në ndjekje të tre hajdutëve minorenë. Burimet e policisë përfundojnë se ata janë ndaluar në flagrancë dhe është bërë e mundur gjetja e qenve të vjedhur. E.H.