E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, 19 vjet burg dhunuesve të profesorit

18/03/2005  Të pandehurit kanë mohuar akuzat në sallën e gjyqit

TIRANË – Deklarohen fajtorë dhe dënohen përkatësisht me 9 e 10 vjet burg për akuzën e vjedhjes me dhunë në bashkëpunim të pandehurit Dëfrim Xhaferri dhe Ardian Kokiçi. Vendimi u dha dje nga gjyqtari Arben Kostandini, ndërkohë që masa e kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës ishte më e madhe.

Prokuroria

Prokurori Dritan Nushi kërkoi nga gjykata deklarimin fajtor të të pandehurve dhe dënimin e tyre me 11 e 13 vjet heqje lirie. Para gjykatës u vërtetua plotësisht si me prova shkresore, ashtu dhe me prova shkencore, se të pandehurit janë autorë të ngjarjes së ndodhur në datën 25 shtator të vitit 2004, ku pas një sulmi të befasishëm mbeti i plagosur rëndë profesori Robert Andoni. Edhe pse të pandehurit para gjykatës mbajtën qëndrim mohues, gjyqtari Kostandini u shpreh se, ata janë autorët të veprës penale dhe për këtë arsye duhet të përgjigjen penalisht. Sipas Nushit, asnjë prej tyre nuk e ka pranuar akuzën. Por gjurma e gishtit e lënë në vendin e ngjarjes, ka nxjerrë si autor kryesor Ardian Kokiçin. Një provë tjetër kryesore që ka nxjerrë emrat e autorëve është edhe përgjimi ambiental.

Përgjimi

Sipas gjykatës, të pandehurit janë futur në një dhomë në paraburgim. Ata janë përgjuar me vendim të Prokurorisë, që më pas i është paraqitur gjykatës për miratim. Gjatë përgjimit, të pandehurit i kanë thënë njëri-tjetrit të mos tregojnë asgjë për ngjarjen. Edhe pse janë përgjuar dhe janë marrë përsëri në pyetje, të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën. Në dosjen e sjellë në gjykatë ndodhet edhe akti i ekspertizës për gjurmën e gishtit. Sipas gjykatës, ekspertiza ka vërtetuar se gjurma e gishtit e gjendur në vendngjarje i përket të pandehurit, Ardian Kokiçi. Të pandehurit më parë keqtrajtuan profesorin e mjekësisë, Robert Andoni, 62 vjeç. Në dosje ndodhen edhe provat që i përkasin sendeve të vjedhura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›