E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Alo", ku do ma sillni drogën

18/03/2005  Kurthi i agjentit të policisë për trafikantët e narkotikut

TIRANË – Fatkeqësisht, Petrit Sulejmani nga Fieri, në datën 24 qershor 2004, ditë kur duhej të lidhej në telefon me Aleksandër Furrxhiun, po nga Fieri, me qëllim kalimin e 1 kilogram e 45.6 gramë kokainë në Greqi, ndodhej në duart e policisë. Furrxhiu kishte marrë mallin në shtëpinë e Sulejmanit në Fier dhe priste prej tij emrin e personit ku duhej ta dorëzonte në Athinë. Por policia, pa e ditur se drejt Athinës po nisej kokainë, e ka arrestuar Sulejmanin me një sasi prej 10 kilogramë e 800 gramë përzierje kokaine me paracetamol. Gjatë arrestimit, oficerët e policisë së Fierit kishin sekuestruar edhe celularin e Petrit Sulejmanit. Bashkëpunëtori i tij, Aleksandër Furrxhiu, nuk e dinte këtë fakt. Në 24 qershor, Furrxhiu i telefonon Sulejmanit. Në vend të Sulejmanit, bashkëpunëtorit të tij i përgjigjet oficeri i policisë gjyqësore. Furrxhiu nuk kuptoi asgjë. Pasi bënë bisedën, lanë takimin. Por në vend që të mësonte emrin e personit që do merrte drogën në Athinë, Furrxhiu shijoi prangat e policisë.

Ngjarja

I pandehuri Petrit Sulejmani është 43 vjeç, me tetë klasë shkollë, i pamartuar dhe i papunë. Ndërsa, Aleksandër Furrxhiu është 37 vjeç, i martuar dhe në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka punuar shofer taksie në linjën Fier-Athinë. Të dy të pandehurit janë shokë fëmijërie. Dje u ulën në bankën e të akuzuarve para Gjykatës së Krimeve të Rënda, si të dyshuarit kryesorë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim. U arrestuan më 23 qershor 2004. Sulejmani e dinte që shoku i tij kishte punuar disa kohë në Greqi dhe kështu ishte person i përshtatshëm për të kaluar në kufi sasi të lëndës narkotike. Kështu në mesin e muajit qershor 2004, i pandehuri Sulejmani ka kontaktuar me shokun e tij Aleksandër Furrxhiu dhe i ka kërkuar të bashkëpunonte me të në këmbim të një shpërblimi. Sulejmani i ka premtuar Furrxhiut, që për kalimin e 1 kilogram kokaine, do të merrte 650 euro. Furrxhiu ka pranuar të kryente këtë transport. Në datën 24 qershor, një ditë pas bisedës, Aleksandër Furrxhiu merr mallin dhe e strehon në bagazhin e makinës së tij. Por nuk arriti të nisej në destinacion, pasi policia kishte arritur të shtinte në dorë porositësin e mallit. Para gjykatës, i pandehuri Aleksandër Furrxhiu e pranoi akuzën dhe kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërkohë që shoku i tij nuk e ka pranuar akuzën. Në këto kushte, gjykata nuk i dha të drejtën Furrxhiut, shoferit të taksisë të fitonte uljen e dënimit me 1/3.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›