E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tuneli te Burgu 302, kushëriri i Gaxhait së shpejti në gjyq

18/03/2005  Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj personave, të cilët projektuan dhe gërmuan galerinë drejt Burgut 302 në Tiranë. Lajmi u bë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë organit të akuzës, të cilat sqaruan se dosja së shpejti do të niset për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Nga burimet mësohet se janë vetëm tre persona të akuzuar për dhënie ndihme të dënuarit për arratisje, që janë kushëriri i Gazmend Brakës “Gaxhait”, Ilirian Braka, bashkëshortja dhe kunati i këtij të fundit. Burimet sqarojnë se gjykimi ndaj personave që me anë të dokumenteve të falsifikuara morën me qira lokalin e luleve përballë burgut, do të kryhet në mungesë. Ndërsa për Gaxhain nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare lidhur me tentativën e arratisjes. Burimet thonë se, ndonëse tashmë është e faktuar se ishte Gaxhai, i cili do të tentonte arratisjen nga Bugur 302, nuk ka asnjë provë materiale që ta konkretizojë këtë fakt. Kjo, pasi nuk ka asnjë bisedë telefonike të përgjuar, ku Gaxhai të pohojë se donte të arratisej. Gjithashtu zbulimi i tunelit bëri që Gaxhai të mos kishte shans për të tentuar fizikisht arratisjen. Më datë 4 mars, një pjesë e tabanit të oborrit hyrës të Burgut 302 u shemb dhe në sytë e gardianëve u shfaq një tunel që shkonte drejt rrugës automobilistike përballë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat zbuluan se tuneli e kishte fillesën në një dyqan lulesh përballë. Ndërsa personat që kishin marrë me qira lokalin, nuk u gjetën. Sipas Prokurorisë, dyshohet që vëlla e motër të jenë larguar për në Greqi, menjëherë pas zbulimit të galerisë. Ndërsa bashkëshorti i saj, Ilirian Braka, i cili kishte organizuar hapjen e tunelit, u arrestua në banesën e tij. Qiramarrësit kishin përdorur identitet të rremë, përkatësisht Agim dhe Silvana Leka. Pas këtij incidenti të ndodhur, Gaxhai u transferua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›