Sherri në loto, ekzekutohet 49-vjeçari
Vasil Kanani është dërguar në spital, por për shkak të plagëve të marra dhe hemorragjisë së shkaktuar nga plumbat e marrë nuk ka mundur të mbijetojë
Policia arreston Emin Mehjan dhe Merdov Dushkun, të dy të dyshuar për vrasjen, motivet e të cilës janë ende të paqarta.
Një 49-vjeçar ka mbetur i vdekur dje në Elbasan pas një sherri në një pikë lotoje. Vasil Kanani mbeti i vrarë pasi u qëllua disa herë me pistoletë nga dy persona në një lokal në afërsi të urës së Zaranikës, në lagjen ‘28 nëntori’. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së hënës, ndërsa dje në mesditë policia ka arrestuar dy të dyshuarit si autorë të vrasjes, Emin Mehja 41 vjeç dhe Merdov Dushku 19 vjeç, të dy nga Elbasani.
Sherri
Burime nga policia thanë se viktima ishte grindur katër muaj më parë me dy të arrestuarit si autorë të vrasjes, me të cilët është përplasur edhe ditën e djeshme. Ende nuk dihen arsyet se përse ata janë përplasur, por sipas policisë nëse katër muaj më parë gjithçka ishte mbyllur pa shumë telashe, në mbrëmjen e së hënës përplasja u bë fatale. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, palët janë konfliktuar mes tyre e më pas grindja ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Pasi kanë qëlluar disa herë në drejtim të viktimës, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Vasil Kanani është dërguar në spital, por për shkak të plagëve të marra dhe hemorragjisë së shkaktuar nga plumbat e marrë nuk ka mundur të mbijetojë.
Arrestimet
Në vendngjarje kanë shkuar policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Policia ka identifikuar autorët dhe është vënë në kërkim të tyre. Emin Mehja është kapur në orët e para të mëngjesit, ndërsa autori tjetër Merdov Dushku u arrestua rreth orëve të mesditës së ditës së djeshme.
Vrasja është kryer me armë zjarri, që sipas deklarimeve të para ka qenë pistoletë, por në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një pushkë automatike. Deri më tani arsyet e vrasjes janë klasifikuar si banale. Megjithatë, çështja po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit. Ndaj autorëve është ngritur akuza e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim. F.S.