Grabitet për të tretën herë banka
Dy persona të armatosur dhe të maskuar pas syzeve dhe kapelave, kanë sulmuar filialin e “Raiffeisen” në Vlorë dhe janë larguar pasi kanë marrë paratë që ndodheshin në arka
Vlorë- E njëjta skemë, e njëjta bankë, por grabitës të ndryshëm. Filiali “Raiffeisen” në Vlorë është sulmuar dje në mesditë nga dy persona të maskuar nën kapele dhe syze, që duke kërcënuar me armë arkëtaret, kanë marrë paratë që ndodheshin në bankë dhe janë larguar menjëherë prej aty.
Grabitja
Kanë ndjekur thuajse të njëjtin skenar, si në rastin e dhjetorit, teksa kanë marrë shumë shpejt paratë dhe janë larguar rrugicave të lagjes. Dy persona që si maskim kanë përdorur kapele e syze kanë qenë grabitësit e radhës së filialit të “Raiffeisen Bank”, i cili ndodhet pranë ish-shkollës së naftës. Gjithçka ka ndodhur pasdreke, kur edhe lëvizjet në zonë reduktohen. Personat sapo kanë hyrë, kanë nxjerrë armët dhe nën presionin e tyre kanë kërkuar paratë që dispononte banka. Ata kanë marrë sasinë ende të papërcaktuar të parave nga sporteli, duke u larguar me shpejtësi. Edhe mënyrat e të vepruarit duket se nuk kanë ndryshuar nga grabitjet e mëparshme.
Hetimi
Policia thotë se nuk ka ende asnjë të dhënë mbi shumën e vjedhur, ndërsa thekson se po punon për të identifikuar autorët e grabitjes. Burime nga forcat e policisë së Vlorës kanë bërë me dije se janë marrë dëshmitë e punonjësve, si dhe dokumentuar ngjarja. Për bankën në fjalë është e treta herë që bëhet objekt sulmi, ndërkohë që është arritur të kapet një nga autorët e grabitjeve të mëparshme.
Më dhjetor 2010, kjo bankë u sulmua nga dy persona të armatosur me kallashnikov. Skema ishte e njëjtë me atë që ndodhi dje. Autorët kanë shfrytëzuar momentin e drekës, ku dhe lëvizjet ishin më të pakta, duke u mundur të largohen nga vendngjarja. Pas njoftimit policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa dëshmitarët e rastit tregojnë për një armë të tipit kallashnikov që është gjetur pas ambienteve të degës së bankës.