Burg pa afat për grupin e trafikut "Cikloni 5"
Katër të arrestuarit pak ditë më parë, nën akuzën e trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, janë lënë dje në burg pa afat nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Glerian Hyseni, 31 vjeç, nga Durrësi, Adrian Moçka, 40 vjeç, Shkëlqim Gjoka, 34 vjeç dhe Hysen Hyka, 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, janë paraqitur dje përpara togave të zeza për shqyrtimin e masës së sigurisë. Ata e kanë kundërshtuar akuzën e bërë ndaj tyre, duke deklaruar se nuk kishin asnjë plan për t‘i trafikuar armët që iu kapën. Të pandehurit kanë pranuar se i kanë modifikuar vetë minat me celular, por kanë hedhur poshtë pretendimet e akuzës për trafikimin e tyre. Të katër të akuzuarit sipas nenit 278/a/2 të Kodit Penal janë arrestuar katër ditë më parë dhe gjatë operacionit që u kodua me emrin "Cikloni 5" u kapën 9 bomba me celularë, të përgatitura me lëndë plasëse tritol. Po ashtu, atyre iu kapën edhe dy armë zjarri, një snajper dhe një pistoletë me zhurmëhumbës, prodhime belge të markës "Browing". Tashmë ata do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor.
SSSASS