Ushtria në sulm: Pazaret në paradhomën e sekretarit
Nuk ka pritur më shumë se një ditë. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ka reaguar vetëm një ditë pas akuzave ndaj tij të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbi tragjedinë e Gërdecit, duke shpallur në këtë mënyrë "luftën" me të. Zëdhënësi i këtij shtabi, nënkolonel Ali Ndreu, ka renditur një e nga një arsyetimet e Shtabit dhe ka shigjetuar ish-ministrin Mediu jo vetëm si personin që firmosi për "fabrikën e vdekjes" në Gërdec, por edhe si titullari që nuk mori mendimin e strukturave të specializuara, si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.
Pse heshtëm?
Nënkolonel Ndreu shpjegoi edhe heshtjen e deritanishme të Shtabit të Përgjithshëm, kreu i të cilit, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, është marrë në pyetje disa ditë më parë nga prokuroria. "Në respekt të ligjit dhe të institucioneve, në respekt të dhimbjes për jetët e humbura në ngjarjen tragjike të Gërdecit, Shtabi i Përgjithshëm me ndërgjegje të plotë nuk ka pranuar të dalë para mediave për të bërë deklarata, me gjithë insistimin e madh e të vazhdueshëm të tyre, duke bartur kështu me ndërgjegje edhe një kosto jo të pakonsiderueshme në lidhje me rolin e tij në këtë ngjarje", tha zëdhënësi.
Sipas Ndreut, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë i mendimit se në një moment të tillë të një ngjarjeje me përmasa të jashtëzakonshme, elementi emocional është shumë i fuqishëm e për pasojë ekzistojnë mundësitë që mesazhet që bartin elementë racionalë mund të mos merren në konsideratë. Në ndryshim me qëndrimin e djeshëm (të së dielës - shënim i red.) të këshilltares politike të ish-ministrit të Mbrojtjes, Shtabi ka qenë dhe vazhdon të jetë i mendimit se vlerësimin për gjithçka ndodhi në Gërdec, mbi përgjegjësitë ligjore të institucioneve, por edhe të personave përgjegjës, duhet ta bëjnë institucionet e specializuara për këtë punë. "Duke dashur të largohemi nga retorika boshe dhe shfajësuese për shumë ndër pikat që u deklaruan dje, me synimin e vetëm, informimin objektiv të opinionit publik, Shtabi është i detyruar që këtyre pikave t‘u përgjigjet me argumente, që bazohen në urdhrat, vendimet apo shkresat e tjera ligjore", theksoi nënkolonel Ndreu, i cili renditi më pas pikat që kundërshtojnë deklaratat-akuzë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Laptopi i SAC
Lidhur me pretendimet e pikave 1 dhe 2 të deklaratës për shtyp, Ndreu tha se specialistët e Shtabit nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë SAC, me një laptop në paradhomën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion dhe me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare. "Nëse ministri ka autorizuar një strukturë, ose një person për ta bërë këtë, kjo nuk është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm", tha ai. Duke vazhduar më tej, në pikën 3 ka një keqinterpretim të qëllimshëm, sipas Ndreut, të pozicionit të Shtabit. "Do të ishte mirë që paragrafi të vazhdonte dhe për hir të transparencës ndaj publikut e mediave, po e citojmë të gjithë, në mënyrë që gjithkush të bëjë krahasimin dhe dallimin për këtë çështje. Duke kundërshtuar ngritjen e një qendre të tillë në Bërzhitë, Shtabi i shkruan ish-ministrit si më poshtë: ‘Qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar si për depozitim apo asgjësim municioni. Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe nuk merret përsipër sigurimi i energjisë...‘ Për municionet me moshë mbi 25 - 30-vjeçare, që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tonë, baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë", shpjegoi zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Sipas Ndreut, ky pozicionim tregon se Shtabi nuk ka qenë palë në tratativat për realizimin e këtij projekti, madje ai është anashkaluar me paramendim, pasi ka refuzuar zbatimin e tij në rastin e Bërzhitës.
Vendimi i Mediut
Shtabi ka kundërshtuar edhe pikat 4 e 5 të deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes, "që nuk hedhin dritë mbi çështjen, sepse pas refuzimit të Bërzhitës zhvillimet kanë qenë më tepër të natyrës administrative dhe asnjë strukturë civile e ushtarake nuk ka paraqitur në Shtab ndonjë mendim në lidhje me vendin e ndërtimit të fabrikës". Vendosja e fabrikës në Gërdec ka qenë një vendim që e ka anashkaluar autoritetin ligjor të Shtabit dhe kjo duket dhe në urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes, që cakton vendin e ndërtimit të fabrikës. Sipas Ndreut, në këtë urdhër, që nuk u paraqit në Shtab as si draft, nuk ka asnjë sigël të Shtabit. Vendimi në fjalë ka qenë vendimtar për vazhdimin e procesit deri në ndodhjen e aksidentit, pasi përcaktoi vendin e ndërtimit të kësaj fabrike.
Historia e tragjedisë së Gërdecit, për Shtabin e Përgjithshëm, duket se nis me vendimin e qeverisë, nr. 138, të 14 marsit 2007, që përcakton variantin prokurim i drejtpërdrejtë me kompaninë dhe më pas në variantin e dytë të këtij vendimi, përfaqësuesit e Shtabit kanë firmosur vetëm në relacionin shoqërues për ministritë e tjera. "Sqarojmë se Urdhri Nr. 550, datë 25.04.2007 i ministrit të Mbrojtjes në momentin e përgatitjes së tij nuk ka kaluar përmes Shtabit. Mendojmë se në këtë pikë duhet të ndalen organet e specializuara për t‘i dhënë përgjigje pyetjes se përse ministri ka shmangur Shtabin nga vendimmarrja për përgatitjen e urdhrit, që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës. Përse ky urdhër ka kaluar vetëm përmes drejtorive të ministrisë dhe jo të Shtabit", sugjeron Ndreu, sipas të cilit, kjo praktikë i është drejtuar Shtabit me shënimin "Për Veprim".
Shtabi i ka drejtuar ish-ministrit Mediu një pyetje publike: Përse ai e miratoi Gërdecin pa mendimin e shprehur me shkrim nga ky Shtab dhe pa kundërfirmat përkatëse në dokument? "Ky është edhe guri i themelit të kësaj fatkeqësie, gur që rrokullisjen e tij e filloi kur nga zyra e ministrit të Mbrojtjes iu dha përgjigje pozitive projektit të kompanisë SAC", përfundoi nënkolonel Ndreu.
Kundërshtitë
1
Ministria e MbrojtjeS
Kompania "Southern Ammunition" ka paraqitur dokumentacionin e saj të plotë ligjor për fillimin e një procesi demontimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka prezantuar përpara autoriteteve ushtarake dhe civile në mënyrë filmike teknologjinë që zotëronte për këtë proces. Me marrjen e propozimit nga ana e kompanisë "Southern Ammunition", ministri i është adresuar, sipas procedurave, për mendim autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile, duke vënë shënimin për respektim të ligjit dhe negociimin e problemeve me kompaninë.
Shtabi i Përgjithshëm
Specialistët e Shtabit nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë SAC me një laptop, në paradhomën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion dhe me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare.
2
Ministria e MbrojtjeS
Pas shqyrtimit, autoritetet ushtarake kanë përjashtuar me shkrim Bërzhitën dhe kanë propozuar që qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve.
Shtabi i Përgjithshëm
Ka një keqinterpretim të qëllimshëm të pozicionit të Shtabit. Do të ishte mirë që paragrafi të vazhdonte dhe për hir të transparencës ndaj publikut e mediave po e citojmë të gjithë, në mënyrë që gjithkush të bëjë krahasimin dhe dallimin për këtë çështje. Duke kundërshtuar ngritjen e një qendre të tillë në Bërzhitë, Shtabi i shkruan ish-ministrit si më poshtë: "Qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar, si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe nuk merret përsipër sigurimi i energjisë... Për municionet me moshë mbi 25 - 30-vjeçare që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tonë baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë". Ky pozicionim tregon se SHP-ja nuk ka qenë palë në tratativat për realizimin e këtij projekti, madje ai është anashkaluar me paramendim, pasi ka refuzuar implementimin e tij në rastin e Bërzhitës.
3
Ministria e MbrojtjeS
Ministri i Mbrojtjes u ka lënë detyrë autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile të "veprojnë konform rregullave, interesit dhe planit të demontimit". Në vijim të kësaj, Autoriteti Ushtarak i ka kërkuar drejtorisë përkatëse në Shtabin e Përgjithshëm të ndjekë problematikën në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes".
Shtabi i Përgjithshëm
Pas refuzimit të Bërzhitës, zhvillimet kanë qenë më tepër të natyrës administrative dhe asnjë strukturë civile e ushtarake nuk ka paraqitur në Shtab ndonjë mendim në lidhje me vendin e ndërtimit të fabrikës. Vendosja e fabrikës në Gërdec ka qenë një vendim që ka anashkaluar autoritetin ligjor të Shtabit dhe kjo duket edhe në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, që cakton vendin e ndërtimit të fabrikës. Në këtë urdhër, që nuk u paraqit në shtab as si draft, nuk ka asnjë sigël të Shtabit.
4
Ministria e MbrojtjeS
Në përputhje të plotë me këtë vendim, është përgatitur urdhri nr. 550, dt. 25.04.07, ku janë përcaktuar detyrimet e autoriteteve ushtarake për zhvillimin e procesit në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie. Madje, është cilësuar shprehimisht që kushtet e sigurisë të bëhen sipas rregullave të depove të municionit, çka identifikon qartë detyrimet e këtyre autoriteteve për të zbatuar rregullat përkatëse.
Shtabi i Përgjithshëm
Në pikën 8 kërkojmë të sqarojmë se Urdhri Nr. 550, datë 25.04.2007 i ministrit të Mbrojtjes, në momentin e përgatitjes së tij nuk ka kaluar përmes Shtabit. Mendojmë se në këtë pikë duhet të ndalen organet e specializuara për t‘i dhënë përgjigje pyetjes se përse ministria ka shmangur Shtabin nga vendimmarrja për përgatitjen e urdhrit që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës.
Gërdeci, gjeneralët "fajësojnë" ish-ministrin
Përplasja midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura është zhvendosur në Prokurorinë e Tiranës. Vetëm dje janë shënuar disa dëshmi të ndryshme në procesverbalet e grupit hetimor. Dy gjeneralë të lartë të ushtrisë shqiptare, Luan Hoxha dhe Shpëtim Spahiu, kanë dëshmuar në orë të ndryshme, duke hedhur sadopak dritë mbi tragjedinë e Gërdecit. Sipas grupit hetimor, Spahiu dhe Hoxha thanë se Forcat e Armatosura nuk kishin kompetencë për të kryer inspektime në "fabrikën e vdekjes". Me një valixhe në dorë, gjeneral-major Shpëtim Spahiu, i njohur me detyrë si një nga ushtarakët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, nënkomandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant i Forcave të Bashkuara të Ushtrisë është paraqitur mesditën e djeshme në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime mbi tragjedinë e Gërdecit. Si një nga njerëzit që duhet të kishte informacion mbi inspektimet në reparte, transportin e municioneve dhe armëve luftarake, gjeneral Spahiu i është përgjigjur menjëherë kërkesës së prokurorëve për të dëshmuar. Ai ka sqaruar organin e akuzës për gjashtë orë. Ndërsa burimet nga prokuroria thanë se gjenerali kishte dokumente me vete, të cilat hidhnin dritë mbi kompetencat e inspektimeve në Gërdec. Gjeneral Spahiu, sipas burimeve, ka këmbëngulur se Forcat e Armatosura, ku bën pjesë edhe vetë, kishin si përgjegjësi vetëm transportimin e municioneve në depo dhe më pas ishte kompania MEICO që kryente sigurinë fizike të tyre. Grupi hetimor saktësoi dje se gjenerali kishte servirur dhjetëra dokumente për sasinë e municioneve të futura në repart, ndërsa të dhënat e marra prej tij po ballafaqohen me informacionet e ardhura nëpërmjet rrugëve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Nga hetimet paraprake rezulton se kompania shtetërore e shitblerjeve të armëve, MEICO, është përgjegjësja kryesore që solli tragjedinë në Gërdec. Dëshmitë e regjistruara në organin e akuzës bëjnë fajtore kompaninë e drejtuar nga Ylli Pinari, e cila kishte përgjegjësi të kryente çdo lloj kontrolli apo ruajtje të sigurisë për armatimet dhe punëtorët që gjendeshin në fabrikë. Mësohet se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka pasur vetëm të drejtën e lëvizjes dhe transportimit të municioneve për llogari të MEICO-s. Ndërkohë, pas komandantit të Forcave të Bashkuara, gjeneral major Shpëtim Spahiu, në orët e vona të ditës së djeshme ka dhënë shpjegime edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral lejtnant Luan Hoxha, i cili u mor në pyetje nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës. Nga burime konfidenciale mësohet se Hoxha ka "fajësuar" ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si shkaktarin e tragjedisë së 15 marsit, që i mori jetën të paktën 22 peronave dhe plagosi qindra të tjerë. Nga ana e ministrisë në prokurori ka dhënë shpjegime edhe drejtori i Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Dashnor Çaushi.
SSSASS