E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kerkohet shtet

Bie shi i furishëm dhe i ftohtë. Nëpër male bie ende borë, edhe pse po afron prilli. Njerëzit ecin të përhumbur nën çadrat që, ashtu si shteti, janë jofunksionale përballë rrebeshit. Raportohet se në porte ka probleme me fortunalët. Ndoshta edhe në fshatin Qerret ku dy miq të mijtë vrasin mendjen në lidhje me përplasjen e qytetërimeve dhe pasojat e kësaj përplasjeje në mentalitetin shqiptar. Ndërkaq Gërdeci laget nën shiun që nuk ia shpëlan dot as hallet, as dhimbjen e as kujtesën që ngjit më keq se sa balta e trashë. Madje as mbledhja e radhës e qeverisë që më së shumti, ashtu siç e ka bërë zakon Berisha II, i ngjan një mbledhjeje të shtabit të aksioneve të qëmotëshme nuk e bën dot një gjë të tillë. As këmbëngulja e pashpresë e opozitës për dorëzim. Njoftohemi ndërkaq se qenkan blerë edhe vaksinat e nevojshme kundër tetanosit. Në një tavolinë të pistë, tufa parash gjithaq të pista, në prezencë të autoriteteve të larta shtetërore shpërndahen në shkëmbim të jetëve njerëzore, të cilave tani ua dimë edhe çmimin e pendesës shtetërore: 20 milionë lekë, lekë po aq të lodhur sa edhe vetë jeta njerëzore.

Kohë trishtimi. Edhe meditimi.

Rrallëherë është dëgjuar të përdoret fjala SHTET me intensitetin e këtyre ditëve të fundit. Të bëjmë shtet. A kemi bërë shtet? Jemi këtu për të bërë shtet. Hani mut, qeras shteti. Kur shteti vret. Shtet i inkriminuar. A funksionon shteti? Krim shtetëror. Institucione shtetërore. Shtet ka pasur Enveri, mërmërit një tjetër me nostalgji. Kemi hyrë në këtë Parlament për të bërë shtet, bërtiste një natë nga foltoret njëri nga parlamentarët më të vjetër të postdiktaturës. Shteti mori të gjitha masat e përgjegjësitë, kundërshtonte pala tjetër.

Në të vërtetë, ajo që ndodhi është një dëshmi e drejtpërdrejtë e shpërdorimit dhe nëpërkëmbjes së vetë shtetit, domethënë i nëpërkëmbjes së rregullave bazë të funksionimit të shtetit. Dhe në thelb kjo nuk është as më shumë e as më pak, por produkt i një kulture gjasme kapitaliste e pragmatiste, sipas së cilës shteti është thjesht një lopë që milet nga ai që është në pushtetin e radhës, kuptohet nën argumentin "liberal" të mbështetjes së iniciativës së lirë. Është gjithashtu provë se mënyra e qeverisjes së Berishës, pavarësisht se ka ndryshuar dukjen dhe të sjellurit në publik, është në thelb po ajo që shkaktoi edhe rrëmetin e vitit të zi 1997, pra mosrespektimi i rregullave, shpërfillja e detyrimeve publike për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve dhe mungesa thelbësore e lirive profesionale aq të domosdoshme për funksionimin normal të shtetit. Është provë se partizanizmi partiak dhe klanor dhe vagabondizimi i politikës i ka zënë frymën profesionalizmit dhe normalitetit. Kjo është po aq e vërtetë edhe në fusha të tjera të qeverisjes: në mjekësi dhe në arsim, në ndërtim dhe në shkencë, në polici dhe në menaxhim; shkurt: kjo është e vërtetë në të gjithë strukturën e piramidës shtetërore, por jo të gjitha strukturat posedojnë bomba, dinamit e predha, pasi nëse do të ndodhte që nëpër spitale, nëpër drejtori shkolle apo në të tjera instanca shtetërore të gjendeshin municione, askush nuk ka sigurinë se nuk do të ndodhte e njëjta gjë, pra një shpërthim jetëmarrës. E, kush ka sadopak njohuri mbi funksionimin e shtetit, e kupton se këto shpërthimet e tjera, - jo vetëm të Dhëmblanit që na e sillte me realizëm Fatos Baxhaku para do ditësh në faqet e po kësaj gazete, - i kemi nëpër këmbë dhe do të na sjellin në një kohë të dytë "vrasje" në nivelin profesional të ekonomistëve, ushtarakëve, doktorëve, infermierëve, mësuesve dhe akademikëve; pra në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe në cilësinë e jetës sonë në përgjithësi. Dhe kjo situatë meriton vëmendjen e të gjithëve, jo vetëm të politikës, pasi kthimi i syve vetëm kah klasa politike, jo vetëm që i jep asaj atribute që nuk ka pse t‘i ketë në një realitet demokratik ku institucionet dhe pushtetet bashkërendojnë kontributet për mirëvajtjen e punëve, por edhe shmang përgjegjësitë e të tjerëve.

Aktualisht nëpër ambiente dhe media pranë qeverisë flitet gjithnjë e më me këmbëngulje për një "pistë" sabotazhi dhe veprimtari të agjenturave të huaja, mbase ballkanike që kanë qenë të interesuara që përmes realizimit të kësaj gjëme të pengojnë marrjen e ftesës së shumëpritur nga ana e Shqipërisë për në NATO. A është kjo realisht një pistë? Sigurisht që edhe mund të jetë, madje një shtet serioz e ka për detyrë që qysh në momentin e parë të passhpërthimit, ta merrte në konsideratë së pari dhe kryesisht pikërisht këtë opsion. Mirëpo aktiviteti qeveritar i dëshmuar fill pas shpërthimit, jo vetëm s‘e vërteton këtë, por përkundrazi, është pikërisht mosmarrja në konsideratë e këtij opsioni që përbën një provë tjetër të mosekzistencës së shtetit.

Pyetjet vijnë me këtë rast radhazi: ç‘masa u morën? ç‘komitete ndërministrore u mblodhën me urgjencë? ç‘agjenci raportuan në instancat e parashikuara nga ligji dhe si raportuan? ç‘urdhra iu dhanë institucioneve të specializuara? ç‘alarm parandalues u dhanë për vatra të tjera të mundshme për keqpërdorim nga ana e "agjenturave ballkanike armike"? Dhe, në analizë të fundit, nëse kjo vërtet do të vërtetohej të kishte ndodhur në cilindo vend tjetër ku aktiviteti kryhej së paku konform rregulloreve të sigurisë, do të ishte në nderin e të gjithëve të bëheshin njësh rreth qeverisë së vendit për të dëshmuar se pavarësisht diferencave, jemi pjesëtarë të të njëjtit vend dhe do të kemi të njëjtën të ardhme. Pra, vetëm atëherë do të mund të pritej që edhe opozita të vihej plotësisht në dispozicion të një interesi ku e ku më të gjerë se sa ai partiak. Mirëpo asgjë nga sa thamë më sipër nuk u vërtetua.

Madje më shumë se sa kaq: të përfshirë në ankthin e përgjegjësisë, shumë nga drejtuesit e shtetit nxituan të shfaqen nëpër ekrane me fotokopje të marrëveshjeve që paskeshin kryer me "American army", Pentagoni, thotë Berisha, ka rënë dakord që… As ai dhe askush nga ata që e rrethojnë nuk kanë as idenë më të vogël se nëse këto dokumente janë klasifikuar si sekrete, sikundër edhe e do logjika, nxjerrja e tyre për publikun e gjerë, përbën një tjetër shkelje të ligjit. Po transparenca e vendimmarrjes?, do të hidhet dikush, mos kjo sjell për pasojë mosbërjen e transparencës dhe mbulimin e së vërtetës? Ka rrezik, por ne të gjithë duhet të mësohemi me faktin se auditimi i këtyre lloj aktiviteteve të shtetit kryhet nga struktura të specializuara që i ngarkon ligji dhe që përgjigjen pikërisht përpara ligjit.

Sot për këdo është e qartë se pala që përfaqëson qeverisjen e vendit po përpiqet ta mbajë debatin të përqendruar në arsyetimin se si reagoi qeveria, - domethënë Berisha, - menjëherë pas tragjedisë. Dukja e tij nëpër ekrane, së paku tri herë në ditë është provë e kësaj. Mirëpo vini re se si funksionon edhe në këtë rast shteti. Flitet për kompensime. Flitet edhe për vlerësim jetësh njerëzore. Flitet për vlerësim trualli dhe për dëmshpërblime. Mirëpo vini re: në asnjë rast nuk ka referenca ndaj ligjit. Shqipëria ka një ligj që është ende në fuqi për raste të tilla si dhe një sërë ligjesh dhe aktesh e konventash që duhet t‘i respektojë. Dëgjoni sërish nëse kini nerva fjalën e Kryeministrit në të ashtuquajturën mbledhje të qeverisë së djeshme. Ai iu referua deri edhe fotove ajrore dhe teknologjive të reja, por në asnjë rast nuk iu referua ligjit. E, me këtë mendësi shteti i ëndërruar i së drejtës vetëm largohet.

Në përpëlitjet posttragjedi të qeveritarëve u gjend edhe shkaku: domosdoshmëria e reformave. Reforma, tha Kryeministri, në sektorët e sigurisë në gjithçka… (madje: Ky është sensi i reformave, u shpreh ai në ligjëratë të drejtë). Reforma, thotë Oketa. Reforma thotë edhe Godo që po e rimendon pjesëmarrjen e Partisë Republikane në qeveri pa dalë realisht nga ndarja e frutave të paligjshme të përfitimit që vijnë prej saj.

Pa dyshim që lajtmotivi janë dhe duhet të jenë reformat, por se ç‘koncept kemi ne të gjithë e kryesisht qeveria në lidhje me to, pra ç‘është ky i ashtuquajtur koncept reformash që i bën të dridhen nëpunësit e trembur shqiptarë do të flasim nesër.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›