Gërdeci ishte më shumë se një krim; ishte një gabim!
Kur pas periudhës 15-vjeçare të sundimit të Bonapartit në Francë u bë restaurimi i dinastisë së Burbonëve më 1814 dhe këta të fundit kërkonin të hiqnin simbolet e revolucionit si Marsejezën dhe flamurin trengjyrësh për ta zëvendësuar me flamurin e bardhë të Burbonëve, si dhe të kërkonin revansh ndaj mbretvrasësve, një mbretvrasës që përgatitej të përfaqësonte Francën në Kongresin e Vjenës, Talejrandi, e pati këshilluar atëbotë Luigjin XVIII që të ndalej në revansh duke i thënë disa fjalë shumë domethënëse: ‘Madhëri, vrasja e mbretit ishte më tepër se një krim; ajo ishte një gabim!‘. Me këtë fjali ky diplomat i madh synoi të vendoste paqen si në kampin ruajalist, duke ju kërkuar ndjesë për ‘krimin‘ e ekzekutimit të Luigjit XVI, ashtu edhe në kampin e revolucionarëve, të cilët kishin bërë një ‘gabim‘ që nuk dënohej. Talejrandi synonte paqen, sepse ishte largpamës. Atëbotë Parisi kishte brenda thundrën e car Aleksandrit të Parë të Rusisë dhe gjithë fuqitë evropiane kërkonin shpërbërjen e Francës dhe ajo që kishte ndodhur nuk ishte gjë hiç në krahasim me atë që mund të ndodhte dhe, veçse paqja e dy kampeve mund ta ndalte shpërbërjen e Francës të tmerruar nga ndjenja e lemerishme që të jep qenia te buza e greminës.
Ajo që mund të konstatohet lehtë nga eksperienca në sjelljen e kombeve të pjekura nga shoqëritë politike të pakonsoliduara dhe të paekuilibruara shpirtërisht, është mënyra e sjelljes së tyre përballë fatkeqësive të mëdha si kjo e Gërdecit. Kombet e pjekura sillen me tendencë parësore me vështrimin para dhe feedbackun e kanë në funksion të së ardhmes. Në rastin e fatkeqësisë së madhe njerëzore, materiale e shpirtërore për gjithë kombin shqiptar, në Gërdec, unë po e trajtoj këtë analizë duke presupozuar faktin se ajo ndodhi nga një gabim njerëzor dhe jo në mënyrë të qëllimshme. Është ekspertiza ajo që mund t‘i afrohet së vërtetës. Nëse aty ka pasur ndonjë akt sabotazhi, që edhe mund të jetë e vërtetë, kjo do të thotë që shteti të marrë masa për rritjen e kontrollit dhe shërbimeve të sigurisë shtetërore, si dhe forcimin e kritereve ligjore në trajtimin e çështjeve të tilla që kanë të bëjnë me jetët e njerëzve dhe që mund të jenë burime tragjedish njerëzore e materiale. Në një rast të këtillë nuk do dëshironim që ngjashmëria e Shqipërisë të ishte me Izraelin, pasi shqiptarët dhe minoritarët nuk mund të kenë në masë qëllime armiqësore ndaj njëri-tjetrit, pasi këta të fundit nëse janë diskriminuar nga shqiptarët, janë diskriminuar pozitivisht. Shikoni se sa biznese kanë ata dhe se sa volum tregtar krijojnë me aktivitetin e tyre në raport me numrin në krahasim me popullsinë shqiptare me shumicë absolute. Shikoni se sa tendera fitojnë ata jo në zonat e jugut, por edhe në Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Edi Ramës.
Gjithsesi, duke analizuar faktin e aksidentit me burim nga një gabim njerëzor, kjo nuk do të thotë patjetër dorëheqje e Kryeministrit. Këtu ka dy probleme: e para nëse janë shkelur kushtet e sigurisë teknike nga firma e kontraktuar, si dhe nëse aktiviteti i saj ka qenë i kontrolluar sipas ligjit nga organe të tjera shtetërore dhe së dyti, nëse ka ndonjë aferë korruptive. Për të dyja rastet është organi i specializuar i prokurorisë ai që jep verdiktin për të dyja rastet. Nëse s‘ka besim te ky organ, atëherë është problem tjetër. Politika të kërkojë ristrukturimin e organit të akuzës apo shkarkimin e Ina Ramës, gjë që nuk do të ishte e justifikuar, pasi askush s‘ka të drejtë ta paragjykojë kryeprokuroren e re pas sfidës së parë tejet të vështirë të institucionit që ajo ka marrë përsipër të drejtojë. Aksidentet duhet të parandalohen, por ato ndodhin dhe do të ndodhin në çdo vend të botës. Vetëm moti vret me qindra e mijëra njerëz në vit edhe në vendet e zhvilluara. Lumenjtë në Kinë apo Indus, Egjipt, Misisipi dhe Amazona vrasin çdo vit, por kjo s‘do të thotë se japin dorëheqjen kaq shpejt kryeministrat me akuza për mosndërtim pritash e sfratesh. Po kështu në Izrael, Palestinë, Liban, Afganistan, Ukrainë apo edhe SHBA, Spanjë, Angli, Gjermani e Itali, po të doni, ka me dhjetëra raste aktesh sabotazhi, aksidentesh e terrorizmi me pasoja humbjesh të jetëve njerëzore, por kjo s‘do të thotë se patjetër jep dorëheqje Kryeministri. Shumë nga këto raste trajtohen sipas sentencës së arsyes shtetërore se edhe vdekja e një njeriu edhe vdekja e shumë njerëzve janë njëlloj tragjedi. Kërkesat politike në të tilla raste janë ose një shfrytëzim i pastër politik i fatkeqësisë, ose shenja të një portretizimi të papjekur të shoqërisë, e cila e ndodhur e frustuar përballë një akti të paprecedentë, vendos duart në kokë dhe ja thërret kujës duke ngjarë me ato sorkadhet që kur nënë e bijë i ndjekin egërsirat për t‘i mbytur dhe arrijnë t‘ia vrasin këlyshin edhe nëna kthehet me dhimbje të fortë, duke e lejuar edhe ajo veten që të bëhet pre e këtyre egërsirave. Këto shoqëri me përfaqësuesit e tyre dinë se çfarë nuk duan, por s‘dinë se çfarë duan dhe janë të prirura të asimilohen apo të bien në kaos të vazhdueshëm. Akte të tilla kur sidomos kërkesat për dorëheqje të Kryeministrit vinë me këmbëngulje e shtrëngim, janë më shumë sesa akte ndërgjegjësimi ndaj një qeverisjeje të keqe, akte të një shoqërie që kapitullon dhe që s‘ka ndërtuar institucione të pavarura e demokratike.
Aq më tepër kjo nevojë rritet kur kombi shqiptar ndodhet përballë evenimentesh të rëndësishme e risi në rreshtimin e tij poshtë vijës së Teodosit, në Perëndim. Në një kohë që serbët ngrihen në Mitrovicën Veriore dhe kur Kosova dhe gjithë populli ynë janë në fazën e pavarësisë të kërkosh dorëheqjen e Berishës do të thotë të shkaktosh një sërë reaksionesh zinxhir me efekt shkatërrues për kombin. Cilat janë këto; 1. Dobësimi i sistemit aktual politik. Kjo për faktin se largimi i tij me rrokopujë e rrëmet nga politika do të thotë shkatërrim i PD-së, vlerës kryesore në krahun e djathtë të politikës dhe prishje të mëtutjetejshme të ekuilibrave edhe kështu delikatë përballë dyshes së fuqishme PS+LSI. 2. Dobësim apo shpartallim të qeverisë dhe gjithë shtetit për një periudhë të pacaktuar dhe rënie në një anarshi të përgjithshme për një kohë relativisht të gjatë. Nga kjo asnjë shqiptar nuk do të ishte i fituar. 3. Dobësim i kauzës kombëtare e cila me ndihmën e vendeve të Perëndimit sidomos të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar është në ekspansion për të kapur dominimin e vet natyral, pas zbaticës njëshekullore të ndikimit të shqiptarëve në rajon. Ky ekspansion do të vendosë ekuilibrat e prishur në Luftën e Dytë Ballkanike në Ballkan për shkak të gurëve rusë në peshoren e treshes: Greqi, Serbi, Rumani kundër treshes tjetër, Turqi, Bullgari, Shqipëri natyrale. 4. Rënien e ekonomisë në //////////////sekession dhe degradim duke ulur të ardhurat për frymë të Shqipërisë dhe mirëqenien publike për shkak se do të uleshin arkëtimet në buxhet, si dhe në investimet publike. Do të shkatërrohej në këtë mënyrë edhe gjithë sistemi i kreditimit dhe interesat e bankave, gjë që do të kishte pasoja të pariparueshme. 5. Një rënie të interesimit të Perëndimit kundrejt një ‘biri plangprishës‘ si shqiptarët për të cilët është shpenzuar aq shumë që t‘u jepej një bombol oksigjeni dhe ata nuk dinë veçse të prodhojnë deziluzion te miqtë e tyre të fuqishëm perëndimorë.
Unë personalisht, me gjithë dhimbjen e madhe për jetët e humbura të vëllezërve tanë në Gërdec, nuk kam besuar se mikrobi i ushqyer nga politika për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, lënien e të djathtëve në kaos dhe përçarje nuk e kam besuar se do të mund të realizohej. Jo për shkak vetëm të ambicieve të mëdha të doktor Berishës për pushtet, por më shumë për shkak të koshiencës dhe eksperiencës së aleatëve në këto raste për të mos e lejuar atë ta bënte një gjë të tillë pikërisht për të ndaluar shkaqet që përmendëm më lart. Madje, ata që dinë të lexojnë në mënyrë të paanshme në përshëndetjen e Presidentit Bush, e kuptojnë pikërisht këtë. Aq më tepër që Berisha nuk ka bërë gabimet mosmirënjohëse të Kryeministrit turk (i varur në vitet ‘60 nga ‘kryengritësit‘ turq), as gabimet e Diemit apo Micotaqisit në raport me mbrojtjen e interesave të USA-s në Ballkan. Revanshi i të majtës për të favorizuar edhe një herë qarqet antishqiptare për të vendosur shkopinj nën rrota pikësynimit tonë për bashkim shpirtëror, ekonomik, por edhe politik në mënyrë gjysmë të dhunshme e përmes ‘zgjedhjeve‘ anarkike si ato të ‘97-ës, do të ishin të pariparueshme. Kjo është edhe arsyeja se përse njerëzit nuk u futën në qendrën e ciklonit të "Mjaft"-it (nënkupto PS-në) dhe reaksioni nuk qëlloi i tipit zinxhir.
Kjo duket edhe nga krahasimi midis reagimit ndaj mbytjes së një numri shqiptarësh në Otranto nga anija italiane Sibilla me ngjarjet në Gërdec. Të dyja këto ngjarje nuk janë gjë para shkatërrimit dhe vrasjeve të ndodhura më ‘97-ën dhe afro 7 mijë të vdekurit që solli anarshia dhe plagët që la e që ende s‘janë tharë.
Nga këto që thashë s‘do të thotë se jam apologjet i Kryeministrit. Aspak. Pas 17 vjetësh në potlronën e politikës, ka ardhur koha që ai të largohet. Por kjo duhet të ndodhë në mënyrë profesionale për të mos ndodhur thjesht ato 5 pikat që përmenda më lart. Ja pra përse e mendoj unë kështu zgjidhjen: sepse dua Shqipërinë, dua familjen dhe të ardhmit e mi dhe se dua edhe zotërinjtë e "Mjaft"-it e të shoqërisë civile, si dhe pse dua edhe socialistët e ndershëm që do ta pësonin bashkë me mua.
SSSASS