Mbyllet greva e urisë në Burgun 313
Greva e urisë e të burgosurve në Burgun 313 është mbyllur dje pasdite, pas bisedimeve të vazhdueshme me drejtuesit e Drejtorisë së Burgjeve. Burime brenda burgut thanë dje për "Shqip" se të burgosurit i kanë lënë një afat 10-ditor drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Dibra, për të plotësuar kërkesat e tyre. Sipas tyre, kjo kohë është e mjaftueshme për t‘i shqyrtuar hollësisht kërkesat e tyre, si dhe për të marrë një vendim lidhur me zgjidhjen e tyre, në të kundërt të burgosurit kanë paralajmëruar se do të rinisin protestën e tyre. Greva e urisë kishte nisur prej dy ditësh në burgun te rruga "Jordan Misja" në kryeqytet. Dje paradite edhe të burgosurit e katit të dytë u bashkuan me grevistët e tjerë, duke e bërë edhe më alarmante situatën në burg. Ata kishin nxjerrë jashtë nga dhomat e tyre frigoriferët, ku mbajnë ushqimet që u sjellin familjarët, duke iu bashkuar grevës së urisë, që kishte nisur prej dy ditësh. Ndërkaq, zyrtarë të Drejtorisë së Burgjeve edhe dje paradite vazhdonin të këmbëngulnin se greva ishte ndërprerë. Ata pretendonin se situata ishte normalizuar dhe të burgosurit ishin tërhequr nga greva e po vijojnë marrjen e ushqimit normalisht. Por lajmet ishin kontradiktore, pasi të burgosurit që kishin arritur t‘u telefononin të afërmve të tyre kishin thënë se ata do ta vazhdonin grevën deri në plotësimin e kërkesave që kishin bërë, ku ndër më kryesoret ishin ato që lidheshin me ushqimin që u sillet nga familjarët, por ka edhe kërkesa për problemet e personelit që shërben në burg. Kështu, të burgosurit kanë kërkuar largimin e drejtorit të burgut dhe shefit të izolimit, pasi, sipas tyre, ky i fundit ka ushtruar shpesh dhunë ndaj tyre. Gjithsesi, kërkesat më të rëndësishme lidhen me ushqimin dhe kushtet e takimeve me familjarët e tyre. Të burgosurit kanë kërkuar veçanërisht që t‘u jepet mundësia të marrin nga jashtë pije joalkoolike, të cilat aktualisht me rregullore nuk janë të lejuara. Sipas rregullores, atyre u lejohet që një herë në javë të marrin ushqime nga familja, por jo ato lloj ushqimesh, të cilat u sigurohen nga vetë burgu. Ndërkaq, dje paradite me protestën duket se u bashkuan edhe gratë që ndodhen në paraburgimin e 313-ës. Madje, një grup i vogël prej tyre kanë zhvilluar një miniprotestë në oborrin e ajrimit. Ato kanë thirrur në kor parulla si: "Duam të drejtat tona" etj. Kjo miniprotestë, që nuk ka zgjatur shumë, është dëgjuar edhe në oborrin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilin vetëm një mur rreth 5 metra i lartë e ndan me oborrin e burgut. Gjithsesi, tashmë protesta është mbyllur dhe të burgosurit i kanë varur shpresat të drejtori i përgjithshëm i Burgjeve për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
ndalimi
Në pijet me ngjyrë mund të fshihen sende të ndaluara
Arsyeja se përse rregullorja aktuale e burgjeve e ndalon futjen në institucionet e riedukimit të pijeve me ngjyrë, është se në këto pije mund fshihen sende të ndaluara, madje edhe armë të ftohta. Këtë shpjegim jep një punonjës i vjetër në policinë e burgjeve. Sipas tij, është diskutuar disa herë gjatë viteve të fundit për këtë problem, por gjithmonë është arritur në përfundimin se shishet e pijeve me ngjyrë, apo më keq akoma kutitë me pije freskuese, është e pamundur të kontrollohen se çfarë kanë brenda. Punonjësi i policisë së burgjeve thotë se ushqimet që u vijnë të burgosurve nga familjarët e tyre krijojnë një pështjellim të madh te punonjësit e shërbimit, pasi atyre u duhet që t‘i hapin dhe t‘i kontrollojnë të gjitha pakot, për të mos lejuar futjen e sendeve të ndaluara, duke filluar nga telefonat celularë e deri të armët.
SSSASS