E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiu, shtohen prurjet në lumin Drin

Si çdo e keqe që e ka një të mirë, moti i keq që ka përfshirë dje vendin, ka sjellë edhe pasojat e veta pozitive, duke shtuar nivelin e ujit në liqenet e hidrocentraleve të mëdhenj.

24 orët e fundit janë karakterizuar nga presioni i ulët atmosferik dhe reshje të dendura shiu edhe në zonën verilindore të vendit. Vetëm gjatë natës së të dielës dhe në paraditen e ditës së djeshme, në Kukës janë regjistruar 80 mm shi, një sasi e barabartë reshjet e muajit të fundit, ndërsa temperaturat mesatare kanë qenë nga 4 deri në 9 gradë. Reshjet e shiut kanë përfshirë të gjithë zonën deri në lartësinë 1000 m mbi det, kurse në lartësitë mbi 1000 m ka pasur reshje dëbore. Shërbimi sinoptik i Forcave Ajrore në Kukës tregon se edhe ditët e ardhshme të javës do të karakterizohen nga reshje shiu dhe dëbore të shkrirë.

Shiu i ditëve të fundit në zonat e Kukësit, Maqedonisë dhe Kosovës ka sjellë dyfishimin e prurjeve të ujit në lumin Drin. Sipas burimeve nga Hidrocentrali i Fierzës, niveli i liqenit ndodhet në kuotën 283,2 mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet mbi 1100 metra kub në sekondë. Me vazhdimin e reshjeve sasia e prurjeve sa vjen e rritet, duke rritur edhe kotën e liqenit me më shumë se 50 cm në ditë, ndërsa hidrocentralet në kaskadën e Drinit punojnë me kapacitet normal. Nga ana tjetër, situata e rrugëve dhe qarkullimit të mjeteve në të gjithë Qarkun e Kukësit për akset kombëtare si Tiranë-Kukës, Kukës-Krumë, Kukës-Prizren etj., paraqitet normale. Vështirësi paraqesin prej ditësh një numër komunash të zonave të thella si Arrën, Zapod dhe Grykë Çajë të Kukësit apo Lekbibaj të Tropojës, ku trashësia e borës shkon deri në 50 cm. Por edhe për këto zona autoritetet thonë se kemi të bëjmë me situatë normale, ku lëvizja dhe furnizimi bëhen me kafshë pune.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›