“Burg pa afat” për tre autorët e gjakmarrjes së dyfishtë
SHKODËR - Gjykata e rrethit të Shkodrës ka lënë në burg pa afat tre personat e dyshuar si të përfshirë në dy vrasjet e njëpasnjëshme që ndodhën të premten e kaluar në një fshat të këtij rrethi. Trupi gjykues, që drejtohej nga kryetarja Anita Mitri, dha këtë masë sigurie për Lazër Rrethin, Gjergj dhe Ardian Malocajn, të tre banues në fshatin Trush të komunës Bërdicë. Lazër Rrethi, 45 vjeç, dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e shtetasit Nikoll Malocaj, 48 vjeç, në fshatin Trush. Me gjithë pretendimet e avokatit për pafajësinë e tij ai do të qëndrojë në burg pa afat nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Në seancën e sotme 45-vjeçari Rrethi, lindur në Dukagjin dhe banues në fshatin Trush të komunës Berdicë, tha se bashkëfshatari i tij, Nikoll Malocaj, e kishte goditur atë mw parë me mjete të forta. Ai hodhi dyshime se Nikoll Malocaj mund të jetë ekzekutuar nga gruaja e tij, Luçe Rrethi, 40 vjeçe, e cila mbeti e vrarë pak minuta më pas. Ky version u mor parasysh nga gjykata, e cila e la atë në burg pa afat vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Si autorë të vrasjes së gruas 40-vjeçare dyshohen babë e bir, Gjergj dhe Ardian Malocaj, vëllai dhe nipi i viktimës Nikoll Malocaj. Edhe babë e bir do të qëndrojnë në burg pa afat, megjithëse në seancën e sotme kanë deklaruar se nuk ndodheshin në fshat, në momentin kur kanë ndodhur vrasjet. Ndaj babë e bir u ngritën akuzat “vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
26 Shkurt 2008