Vazhdojnë kërkimet për 58-vjeçarin e zhdukur prej 5 ditësh
BERAT – Kur kanë kaluar më shumë se 4 ditë, ende nuk dihet asgjë për fatin se 58-vjeçarit Selfo Hajdari, banor i fshatit Pashalli në komunën Poshnje. Bashkëshortja e tij, Feride Hajdari, pohon për gazetën se i shoqi i saj, Selfua, pasi kishte drekuar, ishte larguar nga shtëpia rreth orës 14:30 të të premtes së kaluar, duke pohuar se do të shkonte për të blerë domate te nipi i tij në fshatin Banaj. Por që prej asaj dite ai nuk është kthyer në shtëpi. Ferideja pohon se deri në mbrëmjen e ditës tjetër nuk e kishte kërkuar bashkëshortin, pasi ajo mendonte se do të kthehej. Vetëm mbrëmjen e së shtunes së kaluar ajo i ka telefonuar nipit të sa në fshatin Banaj, për ta pyetur se kur kishte dalë Selfo. I zhdukuri nuk ka telefonuar asnjërin prej djemve, që janë refugjatë në Greqi. Pasi ka telefonuar edhe të gjithë miqësinë e familjes Hajdari në qytete të ndryshme të vendit dhe pasi askush nuk ka dhënë informacione për 58-vjeçarin, atëherë Feride Hajdari i është drejtuar organeve të policisë për të denoncuar zhdukjen e burrit të saj. Ajo i trembet faktit se bashkëshorti i saj, duke pasur kohë pa parë fëmijët e djemve që jetojnë në Greqi, mund të jetë nisur drejt shtetit fqinj. Feride Hajdari pohon për gazetën se është hera e parë që bashkëshorti i saj largohet nga shtëpia. Ajo shton se nuk ka patur asnjëherë konflikte të thella me burrin e saj të zhdukur. Po ashtu ajo sqaron se nuk kanë patur asnjë hasmëri edhe me banorët e fshatit Pashalli apo në ndonjë vend tjetër përreth. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit pohojnë se menjëherë pas denoncimit të bërë nga familja Hajdari, ata janë vënë në kërkim të tij, por këto burime nuk pohojnë ende se cilat janë pistat që po ndiqen për gjetjen e 58-vjeçarit Selfo Hajdari, babait të 5 fëmijëve, i cili rezulton i zhdukur nga pasditje e së premtes së kaluar.
E. Petova
26 Shkurt 2008