E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat trafikantit milioner nga Elbasani

05/05/2005  TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda la dje në burg pa afat të pandehurin Elton Avduli, akuzuar për trafikim të femrave për prostitucion. Megjithëse nuk e pranoi veprën penale për të cilën akuzohet, Avduli u dërgua në dhomat e paraburgimit në pritje të fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Vendimi u dha nga gjyqtarja Liljana Baku. I pandehuri ka deklaruar se ka qenë në Itali, ka punuar, por asnjëherë nuk ka shfrytëzuar ndonjë femër. Më tej ka kërkuar ballafaqim me vajzën, e cila prej vitesh ka pretenduar se ka punuar për llogari të tij. Valbona Krasniqi e ka emrin vajza nga Elbasani, e cila është mbajtur nga i pandehuri në Itali dhe të gjitha paratë e fituara nga prostitucioni i ka derdhur në duart e tij. Por ndryshe ka thënë para gjykatës "tutori". "Paratë i kam fituar me djersën e ballit. Më kanë kallëzuar familjarët e vajzës, pasi unë nuk pranova të lidhesha me të. Vetë vajza nuk besoj se e ka bërë padinë". Më i prerë ka qenë prokurori në kërkesën për caktimin e masës së arrestit. Në dosje ekziston një kallëzim penal me emrin e të dëmtuarës Valbona Krasniqi dhe, në këto kushte i pandehuri duhet të marrë masën e arrestit burg pa afat. Elton Avduli u arrestua në Elbasan tri ditë më parë. Pasi iu vunë prangat, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi edhe pronat në emër të tij. I është sekuestruar në bankë një shumë prej 100 milionë lekësh të vjetra, 15 mijë euro në shtëpi si dhe një makinë luksoze. Për organin e akuzës, i pandehuri nuk ka justifikuar shumën e parave të grumbulluara, duke lënë dyshime për vënien e tyre. Ka qenë i papunë dhe për një kohë të gjatë emigrant në Itali. Nga verifikimit ka dalë se, në Itali, i pandehuri nuk ka punuar, por ka mbajtur nën survejim vajzën me emrin Valbona Krasniqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›