E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kur Britania zhvishet nga imazhi mbretëror

05/05/2005  Britania zhvishet nga imazhi mbretëror, është paraqitur dje në një kremtim modest të javës evropiane, pa pritje ceremoniale e fjalime ambasadorësh; “Lindja është Lindje”, filmi që ka rrëmbyer çmime kinematografike në Britani, është shfaqur mbrëmë në shtëpinë e oficerëve, në Tiranë, për të përcjellë imazhin e tolerancës si vlerë evropiane

Kur Viktor Hygo, i frymëzuar nga idealet humaniste, ëndërronte një “Evropë paqësore të bashkuar në një shtet të vetëm” pasuan dy luftëra të tmerrshme, që e shkretuan këtë kontinent gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Por nga gërmadhat e luftës u ngjall një shpresë e re. Kush rezistoi totalitarizmin e luftës, vendosën t’i jepnin fund urrejtjes ndërkombëtare dhe rivalitetit në Evropë.

Paqja është ajo që kërkohet prej vitesh, duke u kthyer edhe në një domosdoshmëri ballkanike. Pikërisht për këtë, në Tiranë po organizohet java evropiane.

Kur mbrëmë, në shtëpinë e oficerëve, u bë celebrimi i Këshillit Britanik.

Për ta afruar situatën me moton e javës evropiane, ishte rezervuar një film, që nuk kishte të bënte me luksin britanik a imazhin e mbretërisë.

Që dhëndri të braktiste nusen m’u në altar, as nuk mund të imagjinohet në Indi. Por, kur kjo ndodh në Londër, çmendurira të tilla janë mëse të zakonshme, por dhe mjaft argëtuese.

“Lindja është Lindje”, me producent Hellie Smith dhe regjisor Damien O’Donnell, film që është nderuar me çmim, ndalej në imazhet e zakonshme të Britanisë. Këshilli britanik kishte menduar që të largohej nga fjalët e zakonshme e të mërzitshme të ambasadorëve për të parë një pjesë të asaj tolerance, që vlerësohet si virtyt evropian.

“Situatat në këtë film janë çështje ku vërtitet java evropiane. Një film i bashkëjetesës së diversiteteve, ku nuk ka imazhe të Mbretërisë së Bashkuar, por jepet imazhi i zakonshëm i Britanisë”, ka thënë dje para shfaqjes së filmit, ambsadori i Mbretërisë së Bashkuar dhe Britanisë së Madhe, Richard Jones.

Në qendër një komunitet tepër i vështirë për t’u integruar me jetën angelze. Të zhvendosur nga vendet e Lindjes, një familje indiane e kishte të vështirë të bënte zap, a të ruante gjithë traditat, sado që fanatizmi nuk kishte më kuptim.

Paragjykimet martesore, jeta nëpër disko apo tabutë seksuale, e gjitha nën çadrën fetare, do mbyteshin nën argëtimin që ofron jeta angleze. Dhe kësaj, as pleqtë nuk mund t’i rezistonin, megjithëse kishin prejardhjen nga Lindja.

E kaluara etnike për këtë familje ishte diçka e shenjtë, ndërkohë që problemi i vetëm ishte jeta e tyre e thjeshtë, mënyra e jetesës e dhënë përmes argëtimit dhe zbavitje alla anglezçe në film.

Aty ku paragjykimet shkojnë në zgrip, siç është jeta e familjes indiane dhe kontrasti jepet në ekstremin tjetër në jetën londineze, ndodh shkrirja, ajo vëmendja e përqëndruar e bashkëjetesës në paqe.

Pikërisht ky ishte mesazhi i thjeshtëzuar që kërkoi dje në mbrëmje të jepte në javën evropiane bashkëpunimi midis Këshillit britanik dhe ambasadës së Britanisë së Bashkuar, ku ngjarjet të vendosura në vitet ’71, janë dhe kujtesë e njëkohshme dhe për vetë Anglinë, që i takon hartës politike. “Problemi i integrimit ka të bëjë me njerëz që ndryshojnë jetesën në këtë film, duke kapërcyer paragjykimet, kjo është qendra e projektit të bashkimit evropian se si mundet që njerëzit pas luftës së gjatë të mësojnë nga argëtimi”, ka përfunduar ambasadori Jones.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›