E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këngëtari i madh pa shtëpi..., pa pension..., pa atdhe...

05/05/2005  Tonin Tërshana

Këngëtari i mirënjohur i muzikës së lehtë, një nga zërat më të spikatur të saj, Tonin Tërshana, është kthyer për pak ditë në atdhe, për të marrë pjesë në spektaklin "100 Këngët e shekullit", që transmetohet në Televizionin Kombëtar Klan. Si rrallë kush, fitues i katër çmimeve të para në festivalet e muzikës së lehtë të këngës në Radio Televizion, Tërshana tregon për "Metropol", për emocionet e tij në spektakël, për rininë e tij, ku në moshën 13-vjeçare fillon të këndojë, për t'u lidhur pazgjidhshmërisht me muzikën e lehtë, që do të ishte jeta për të. Tërshana nënvizon edhe për jetën e vështirë në emigracion, pas humbjes së shtëpisë në firmat piramidale. Nga ana tjetër, tre muaj më parë i ndërpritet edhe pensioni, pa ditur asnjë arsye. "Po të kisha mundësi, nuk do të shkoja më... Kam shumë mall për vendin tim, për njerëzit e mi, por nuk kam asnjë mundësi praktike që të rri këtu..., ndjehem si një njeri pa atdhe, pasi kur në vendin tim nuk kam ku të rri dhe asnjë mundësi jetese, është njëlloj si të mos kem atdhe. Shpresoj..., pasi shpresa vdes e fundit...", shprehet i mirënjohuri Tërshana.

Një rikthim në skenë, e pikërisht në atë të spektaklit "100 Këngët e shekullit", pas plot 11 vitesh me një emocion të jashtëzakonshëm që përloti me mijëra shqiptarë përtej ekranit të vogël...

Që në vogëli kam qenë shumë i dashuruar pas këngës së lehtë, në përgjithësi, dhe asaj shqiptare, në veçanti. E them këtë, pasi më kanë pëlqyer shumë edhe këngët italiane, të cilat në atë kohë pëlqeheshin shumë në Shkodër. Kur dola në skenën e spektaklit "100 Këngët e shekullit", gati-gati nuk e besoja. Isha shumë i emocionuar, pas kaq vitesh larg skenësh. E përjetova me shumë emocion dhe gjej rastin të përshëndes organizatorët e këtij spektakli, Adi Hilën dhe Pandi e Bledi Laçon, të cilët kanë realizuar një aktivitet të mrekullueshëm dhe, është për të ardhur keq që Televizioni Publik nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë, ndërkohë që ne kemi qenë të lidhur me të gjatë karrierës sonë. Eshtë një spektakël gjigand, që më ka mbushur me shumë emocione dhe nostalgji. Një spektakël madhështor, një homazh i vërtetë si ndaj muzikës së lehtë, ashtu edhe ndaj artistëve që i dhanë aq shumë asaj.

Si ju lindi dëshira për të kënduar?

Thjeshtë, shpeshherë këndoja kur isha vetëm në shtëpi. Madje kishte raste që fusja kokën në ndonjë enë metalike, duke u përpjekur të dëgjoja zërin tim, ashti siç e imagjinoja unë se ndodhte edhe në radio. Isha rreth se 13 vjeç. Pashk dhe Ndoc Martini, që ishin komshinjtë e mi, të dy muzikantë, më dëgjojnë pas pak kohësh dhe më ftojnë të këndoj bashkë me ta, por unë nuk i dija tekstet e këngëve. Pasi mësova disa këngë, Pashku më ftoi të këndoja në “Turizmin” e Shkodrës. Isha shumë i turpshëm dhe këndoja pothuasje i fshehur, prapa orkestrës. Isha fëmijë dhe më kujtohet se, pasi këndoja disa këngë, dilja dhe luaja me shokët, për t'u kthyer sërish të këndoja. Pas pak ditësh fillova të këndoja me pagesë. Ishte e pabesueshme që në atë moshë të paguhesha si këngëtar. Një ushtarak nga Vlora, Mersin Maksuti, i cili ishte një artdashës i vërtetë, pas disa vitesh që më dëgjonte në “Turizëm” apo edhe kur shkoja e këndoja në shtëpinë e tij, më propozoi të shkoja në Tiranë dhe të këndoja në Estradën e Ushtarit, pasi kishte bërë një bisedë paraprake me ta. Kur arrita në Tiranë, trupa e Estradës kishte shkuar në turne dhe i vetmi që ndodhej në Tiranë, ishte saksofonisti Platon Mezini, i cili luante në orkestrën e "Bar Sahatit". Platoni kishte dëgjuar dhe kur e takova më pyeti: "Ti je ai djali i vogël shkodran që këndon bukur?". Kështu më thërrsnin në atë kohë, "djali i vogël që këndon". Aty ishte hera e dytë që u pagova për të kënduar, kuptohet me 250 lekë të vjetra dhe ushqim, që për një djalë në moshën time ishte shumë. Isha vetëm dhe në Tiranë nuk kisha kërkënd. Nuk kisha as letër-njoftimi dhe prandaj nuk mund të flija as në hotele, pasi aty nuk të pranonin pa letër-njoftimi. Flija pas një dyqani fruta-perimesh dhe akulloresh te banka, ku flija mbi arka dhe mbulohesha po me arka, pasi kisha frikë nga policët. Një natë në lokal erdhi Ferdinad Deda, i cili më thirri dhe më tha që të shkoja ta takoja të nesërmen te Radio Tirana. Kur shkova të nesërmen, aty ishin edhe Nikolla Saraçi, Abdurahim Grimçi dhe Tonin Harapi. Midis këngëve të tjera, këndova një këngë të Harapit, që e kishte kënduar Vaçe Zela. Ishte shtatori i vitit '65. Isha vetëm 16 vjeç, por me këngën u lidha pazgjidhshmërisht.

Në atë kohë u ftuat të merrnit pjesë edhe në anketën e parë të Radio Tiranës?

Po, ishte hera e parë që organizohej kjo anketë dhe unë këndova këngën e Grimçit, ndërsa Vaçe Zela me këngën e Agim Krajkës "Gjyshja", zuri vendin e parë. Ndërkohë, Ferdinandi më mori adresën ku banoja në Shkodër, pasi unë nuk mund të qëndroja më në Tiranë dhe u ktheva sërish në Shkodër. Fillova punë si ndihmëskëpucar. Pak muaj më vonë u njoftova me telegram që të paraqitesha në Radio Televizionin Shqiptar, për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës. Tonin Harapi më tha që të këndoja këngën e tij "Të dua, o det". Isha një i ri shumë i lëvizshëm dhe një ditë pas provave ika në Shkodër, pasi më dukej si lojë. Harapi erdhi vetë e më mori në Shkodër dhe, që nga ajo natë, rreth 10 ditë para festivalit, më mori në shtëpinë e tij dhe më kujtohet se, ditën e parë që u gdhiva në shtëpinë e tij, u zgjova i lidhur pas tavolinës. Gruaja e Toninit nuk më zgjidhi deri sa erdhi ai vetë e më mori në prova. Me atë këngë fitova edhe çmimin e parë, festivali i parë që mora pjesë. Pas festivalit u ktheva sërish në Shkodër. Vetëm një muaj më pas erdha të këndoja në Estradën e Ushtarit, pas "urdhrit" të Petrit Dumes, që më thirri në zyrën e tij. Pas pak kohësh u ktheva në Shkodër, ku punova në Fabrikën e Cigareve deri në vitin '68, kur edhe shkova ushtar. Kuptohet që shkova direkt në Estradën e Ushtarit, institucion në të cilin punova deri në shkrirjen e tij, në vitin '94.

Ju keni marrë pjesë në dhjetëra Festivale të Këngës në Radio Televizion dhe, pas Vaçe Zelës, jeni i vetmi që keni fituar katër çmime të para, pa llogaritur këtu shumë çmime të dyta e të treta...

Që nga viti '65, ku këndova për herë të parë në Festivalin e katërt, duke përjashtuar katër festivale, kam marrë pjesë vazhdimisht deri në Festivalin e 27-të, që u zhvillua në vitin '88. Më kujtohet se në Festivalin e 5-të, ku u ftova të këndoja një këngë të Llazar Morckos, vjen gjatë provave ministri i Kulturës të asaj kohe, Thoma Delijani, i cili pyeti instrumentistët se si shkoja unë. Ata u përgjigjën se këndoja shumë bukur, ndërkohë që një këngëtar tjetër, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, i tha ashtu tinëzisht, se më pëlqente të këndoja edhe këngë italiane. Kaq u desh që mua të më ndalohej të këndoja jo vetëm në atë festival, por edhe në gjashtin dhe të shtatin. Më pas këndova sërish, duke përjashtuar Festivalin e 12-të, ku si pjesëmarrës i Estradës së Ushtarit, na u ndalua të merrnim pjesë, pas furtunës që pasoi Festivalin e 11-të, në të cilin kisha fituar edhe çmimin e parë.

A u përndoqët pas këtij festivali, sikundër ndodhi me shumë këngëtarë të tjerë në atë kohë?

Në atë vit unë isha vetëm 23-vjeçar dhe më duhet të pranoj se, personalisht, nuk pata asnjë pasojë. Unë isha një ndër disa këngëtarë të ushtrisë, që si "ndëshkim", sikundër e thashë pak më lart, nuk u lejuam të merrnim pjesë në Festivalin e 12-të.

Kush ka qenë kompozitori me të cilin keni bashkëpunuar më shumë?

Mund të them pa frikë se, pothuajse, gjatë gjithë karrierës sime, kam bashkëpunuar me Pjetër Gacin, por edhe Kujtim Laron, Agim Prodanin. Paralelisht kam patur edhe bashkëpunim me këngëtarë të ndryshëm, me duete të ndryshme, ku mund të sjell ndërmend Lindita Theodhorin, Arta Babaramon, Luan Zhegun, Prashqevi Simakun, por edhe të tjerë.

Përse u tërhoqët nga skenat e festivaleve, pas vitit '88?

As vetë nuk e kam shumë të qartë. Ndoshta, sepse kërkoja të bëja një shkëputje, ndoshta, sepse pas këtij viti Pjetër Gaci filloi të kompozonte diçka më rinore, që nuk më përshtateshin shumë... Nuk e di. Ka shumë ndoshta.

Në vitin '97, pasi humbët shtëpinë në firmat piramidale, u larguat familjarisht nga Shqipëria drejt Greqisë...

Humbja e shtëpisë ishte një goditje e rëndë. Në korrik të '97, me ndihmën e aktorit Xhevahir Zeneli sigurova një vizë së bashku me vajzën time të madhe, e cila ka mbaruar Akademinë e Arteve, për kanto. Më pas erdhën edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Eshtë i rëndë emigracioni. Kam qenë i detyruar të bëj punë shumë të vështira, që nga hamalli e deri në punëtor ndërtimi, për të sigurar jetesën. Nuk ka qenë e mundur të merrem me këngën, vetëm në disa raste në festa të ndryshme, por pa mundur të siguroj jetesën prej saj.

A mendoi të riktheheni në Shqipëri?

Po të kisha mundësi, nuk do të shkoja më... Por nuk kam shtëpi të banoj dhe prej tre muajsh më kanë prerë edhe pensionin, për çështje burokratike besoj, por nuk më japin asnjë shpjegim. Pavarësisht nga kjo, është gati e pamundur që me pensionin që më takon të marr, të kem një shtëpi me qira ku mund të jetoj. Kam shumë mall për vendin tim, për njerëzit e mi, por nuk kam asnjë mundësi praktike që të rri këtu. Por pas prezantimit tim në spektaklin e TV Klan, më kërkoi për një takim këshilltari i Kryeministrit, Përparim Kabo, i cili më priti me shumë respekt, së bashku me Blerta Krajën, dhe më premtuan se do të bënin diçka për rastin tim. Nga ana tjetër, organizatorët e spektaklit "100 Këngët e shekullit”, kontaktuan me ministrin e Kulturës, Blendi Klosin, i cili, gjithashtu është treguar i gatshëm të më ndihmojë brenda rregullave dhe ligjeve në fuqi. Shpresoj shumë që të bëhet diçka, pasi ndjehem si një njeri pa Atdhe, pasi kur në vendin tim nuk kam ku të rri dhe asnjë mundësi jetese, është njëlloj si të mos kem Atdhe. Shpresoj..., pasi shpresa vdes e fundit...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›