E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet "ambasada" e dytë italiane

05/05/2005  Policia arreston Qazim Hyskon, kërkohet vëllai i tij. Akuzohen për falsifikim pasaportash

TIRANË- Në shtëpinë e dy vëllezërve gjenden dokumente të falsifikuara, si pasaporta shqiptare e italiane, leje qëndrimi dhe mjetet për përgatitjen e tyre. Materialet u gjetën në një bodrum, në katin e nëndheshëm. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur dje se, nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko-Financiar, në orën 21.10 të dy ditëve më parë, u arrestua në flagrancë, Qazim Hysko, 47 vjeç, banues në "Rrugën e Durrësit" në Tiranë, me arsim të mesëm. Shtetasi i lartpërmendur, në bashkëpunim me vëllain e tij, kryenin falsifikimin e pasaportave të huaja, pasaporta shqiptare (të tipit të vjetër), dokumente italiane, leje qëndrimi, dokumente për mjete motorike etj. Në cilësinë e provës materiale, Hyskos iu bllokuan materialet me të cilat kryenin falsifikimin e pasaportave të huaja dhe shqiptare, dokumente të ndryshme shqiptare të falsifikuara, një laminator (pajisje që shërben për prodhimin e faqeve të plastifikuara të pasaportave), rulota celofoni, faqe të shkëputura të plotësuara e të paplotësuara, etj. Burimet policore thanë se, tashmë po punohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve, si dhe për kapjen e bashkëpunëtorit të tij. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Hetimet

Teksa policia kishte vënë në pranga njërin nga vëllezërit që merrej me aktivitet të paligjshëm, nga ana tjetër ende vazhdojnë kërkimet për gjetjen e bashkëpunëtorit të tij, i cili, sipas burimeve të Antikrimit Ekonomik, mendohet se strehohet në lagjen pranë, te disa të njohurit e tij. Policia i akuzon për falsifikim dokumentesh të ndryshme, duke nisur nga pasaportat shqiptare e deri tek ato të huaja, ndërsa mendohet se ky rrjet është më i gjerë se kaq dhe përfshin një numër më të madh bashkëpunëtorësh. Vetëm rreth 40 ditë më parë u hap në Tiranë skandali i pasaportave angleze, në të cilin u akuzuan disa persona. Ndërsa vitin e kaluar disa nga punonjësit e ambasadës gjermane, duke përfshirë këtu edhe konsullin Tomas Vek, i cili më pas u përjashtua.

Provat e sekuestruara

-Materiale me të cilat kryenin falsifikimin e pasaportave të huaja dhe shqiptare

-Dokumente të ndryshme shqiptare të falsifikuara

-Një laminator (pajisje që shërben për prodhimin e faqeve të plastifikuara të pasaportave)

-Rulota celofoni, faqe të shkëputura, të plotësuara e të paplotësuara etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›